Masa antiterroriste, kulla Eiffel me xham të padepërtueshëm

602
FRANCE – Kulla Eiffel në Paris ka gjasa të rrethohet nga një mur xhami i përforcuar prej 2.5 metrash, si masë mbrojtjeje kundër sulmeve terroriste, kanë njoftuar zyrtarët francezë. Kryetari i Bashkisë së Parisit është shprehur se muri do të zëvendësojë gardhin prej metali që u vendos gjatë kampionatit evropian të futbollit 2016.
Ky projekt, nëse do të aprovohet, pritet të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe puna duhet të fillojë më vonë gjatë këtij viti. Kryeqyteti i Francës ka qenë në gjendje alarmi që prej sulmeve të xhihadistëve në nëntor të vitit 2015, qëkur humbën jetën 130 persona.
Ndërsa Korrikun e kaluar, 86 persona u vranë, kur një kamion hyri mes një grupi të madh njerëzish që po festonin ditën e Bastijës në Nice. Kulla Eiffel, një prej pikave turistike më të famshme në Francë, tërheq mbi 6 milion vizitorë në vit dhe muri është projektuar për të ndaluar personat apo automjetet ta sulmojnë atë.
“Kërcënimi terrorist mbetet i lartë në Paris dhe për pikat kryesore turistike duhet të merren masa të veçanta. Do ta zëvendësojmë gardhin prej metali me panele xhami që do t’i lejojë vizitorët të shohin një pamje mjaft të këndshme të monumentit. Kemi qëllim të përmirësojmë pamjen dhe të përforcojmë mbrojtjen e vizitorëve dhe të stafit”-është shprehur njw zyrtar i Bashkisw së Parisit, Jean-Francois Martins.
Sigal