Martin Luter King dhe aspirata për barazi

2188
Sigal

Martin Luter King është metafora më e bukur dhe më e mirë e jetës dhe e historisë së SHBA-ve, së pas Luftës së Dytë Botërore. Mund ta quajmë edhe një engjëll të zi të SHBA-së, me plot aspirata të bukura. Ai është futur në kalendarin dhe mozaikun e ndritur të personaliteteve më të mira të kombit amerikan sepse ka qenë zëri kumbues, që buçiti në tërë globin si një akt-akuzë kundër dhunës, padrejtësisë dhe racizmit. Që në moshën 20 -vjeçare zëri i tij kumboi fuqishëm dhe nuk u ngjir kurrë së demaskuari makartizmin, racizmin dhe të gjitha format e padrejtësisë dhe diskriminimit. Martin Luter King ka qenë udhëheqësi i bashkëjetesës e i harmonisë midis racave dhe dishepulli më i shquar i filozofisë së tolerancës të predikuar nga Mahat’ma Gandi. Gjithashtu, mbetet dhe një avokat i madh për mbrojtjen e drejtave civile të zezakëve të Amerikës. Në vitin 1955, sapo mori gradën Doktor në Filozofi, iu kërkua të udhëhiqte Lëvizjen për Bojkotin e Autobusëve në Montgomeri. Në jetën social-politike ai spikati veçanërisht në organizimin e 382 ditëve të bojkotit të autobusëve urbanë në shenjë proteste ndaj racistëve të bardhë, të cilët nuk lejonin që në autobusë të uleshin zezakët. Bojkoti i autobusëve e ka zanafillën më 1 dhjetor 1955, kur rrobaqepësja zezake, 42 -vjeçarja Roza Parks, e cila ndërroi jetë në moshën 93 -vjeçare në vitin 2006, një grua kjo, mjaft e respektuar në qytetin e Montgomerit, ndonëse kthehej mjaft e lodhur nga puna, refuzoi qetësisht t’i lëshonte vendin e saj një të bardhi dhe për këtë u arrestua. Kjo ngjarje do të jepte sinjalin e Lëvizjes së Bojkotimit të Autobusëve Urbanë. Në krye të organizatës, që udhëhiqte këtë lëvizje u vu 26- vjeçari, Martin Luter King. Në vitin 1956, ndërsa u fliste njerëzve në një miting, provokatorët racistë hedhin një bombë në shtëpinë e tij. Ndërsa në vitin 1957King organizon lëvizjen politike: Konferenca e Udhëheqësve Kristianë të Jugut, e cila kërkonte të drejtën e votës për zezakët. Ai mbetet luftëtari më i spikatur kundër makartizmit. Udhëheqësit zezakë me Martin Luter Kingun në krye e orientuan masën shumë milionëshe të popullsisë zezake drejt kërkesave për heqjen e dallimit racial nëpërmjet manifestimeve paqësore. Ata e njihnin mirë Kushtetutën Amerikane, e cila ka shërbyer dhe shërben si një dokument i madh progresiv. E dinin që vendi më i zhvilluar, djepi i demokracisë, kombi amerikan, pra, deri në vitin 1865 kultivonte skllavërinë, një nga dukuritë më të shëmtuara të njerëzimit. Ata e dinin që Amendamenti XIII, duke sanksionuar “shpalljen e çlirimit” nga presidenti Abraham Linkoln, suprimoi skllavërinë por jo racizmin e egër ndaj zezakëve, i cili u rezistoi me sukses deri në vitet 60-të të shekullit të 20-të. Për shumë vjet më pas, jo vetëm gjatë shekullit të 19-të, por edhe në shekullin e 20-të, zezakët do të trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë ose më keq edhe pse SHBA-ja u bë vendi më i zhvilluar i dhe mbrojtës i demokracisë në botë. Po ashtu Kingu me shokë për t’ju kundërvënë pikëpamjeve, teorive raciste dhe të ashtuquajturave organizata të djathta, që nxisnin krimin, terrorin, linçimin ndaj popullsisë me ngjyrë siç ishin aso kohe: Ku Klus Klani, Legjioni amerikan, grupet naziste etj, organizoi shoqata dhe lëvizje të fuqishme në të gjithë Amerikën si Montgomery Improvement Association, Forca e Zezë e Malcolm X etj.. Duhet të theksojmë se skllavëria dhe racizmi janë sëmundje të rënda të botëkuptimit humanist të shoqërisë. Racizmi është teori reaksionare, që duke u nisur nga dallimet racore, mbron pabarazinë. Racizmi i ndan njerëzit në mënyrë arbitrare, në raca “të larta” dhe në raca “të ulëta”, që duhet të jetojnë të shtypura dhe të nënshtruara. Kingu si një simpatizant i metodave të mospërdorimit të dhunës, do të përdorte të gjitha format e veprimtarisë sociale: që nga protestat paqësore deri tek krijimi i organizatave jo violente të grave e studentëve. Për ta ndërkombëtarizuar sa më shumë Lëvizjen për të Drejtat e Njeriut ai së bashku me veprimtarët e tjerë zezakë organizoi takime me presidentët Xhon Kenedi, Xhonson, Nikson, kryeministrin Indian, Nehru, mbretin e Norvegjisë, Olav V, Papën e Romës, kancelarin Vili Brandt etj.. Dhe rezultatet nuk munguan. Vendin e segregacionit e zuri integrimi në shkolla, në punë, në mjediset publike deri në organet më të larta shtetërore. Luter King është një ndër personalitetet më të rëndësishme të shek. XX. Luftën e tij të suksesshme pa dhunë kundër diskriminimit të zezakëve në SHBA, King e zhvilloi i frymëzuar nga ideja dhe metodat e Gandit. Në vitin 1964 fitoi Çmimin Nobel për Paqe dhe njësoj si Gandi ra viktimë e një atentati. Ai u vra nga dora e racistëve të bardhë në momentin kur këndonte këngë kishtare në një miting masiv në mbrëmjen e 4 prillit. King vdiq në moshën 39- vjeçare. Ai u vra në kohën kur popullariteti i tij kishte rënë dukshëm, kur nuk bënte më pjesë në dhjetë personat më popullorë në SHBA. I njëjti Martin Luter King trajtohet sot në SHBA zyrtarisht si hero kombëtar. Që nga viti 1986, çdo e hënë pas datëlindjes së tij më 15 janar është ditë feste (festa e Martin Luter Kingut). King bën pjesë në dhjetë personat e nderuar si “heronj të krishterë të shek. XX”, statuja e të cilëve gjendet në abacinë londineze.

_________________________________________________________

FJALIMI I 28 GUSHTIT1963, ARTIKULIM MONUMENTAL

Xhon Kenedi dhe i vëllai, Robert Kenedi, disa herë e kishin pritur Kingun në audiencë dhe e këshillonte atë për manifestimet. Ata në fillim iu trembeshin manifestimeve sepse ato mund të degjeneronin në anarki. Por kur panë vendosmërinë e udhëheqësve zezakë, u tërhoqën dhe e pranuan Marshimin në Uashington, para Memorialit Linkoln. Ka ngelur historik dhe madhështor fjalimi i Dr. Martin Luter King më 28 gusht të vitit 1963 me rastin e marshimit në Uashington, fjalim që u mbajt para 250.000 qytetarëve në Lincoln Memorial, nga këta 60 mijë ishin të bardhë, të ardhur nga të gjitha viset e Amerikës  me trena, autobusë, me avionë e në këmbë, nën tingujt e këngës “Ne do të ngadhënjejmë”, Martin Luter Kingu dha mesazhin e paqes, të vëllazërimit, të mirëkuptimit dhe të tolerancës ndërmjet njerëzve të të gjitha racave, kombësive dhe bindjeve. Në këtë manifestim spektakolar morën pjesë aktivisht 150 kongresmenë, duke përfshirë edhe personalitete të famshme të kinematografisë hollivudiane të kohës, me famë botërore si: Marlon Brando, Kurt Lankaster, Pol Neuman, Harri Belafonte dhe këngëtarë të famshëm si Xhoan Baez, Bob Dilon, etj..

_____________________________________________________________________

BARAK OBAMA, REALIZIM I ASPIRATËS SË MARTIN LUTER KINGUT

Opinioni publik botëror dhe ai amerikan u surprizua, kur më 4 nëntor 2008 në poltronin presidencial të Shtëpisë së Bardhë u zgjodh zezaku, Barak Obama. Sot, 40 e ca vjet pas vrasjes së Martin Luter Kingut, realizimi i aspiratës së tij, u bë realitet. Një njeri me ngjyrë fiton postin e Presidentit të vendit. Ai është produkt i luftës së gjatë të Kingut dhe dishepujve të tij për drejtësi shoqërore. Ato, që Kingu i artikuloi para kombit amerikan, atje, para Memorialit Linkoln, në vitet ‘60-të, u bënë realitet. Njerëzit në këtë vend të fuqishëm demokratik nuk vlerësohen më nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre, sikundër pema nuk vlerësohet nga trungu i saj, por nga frutat, që jep, sepse qytetarët amerikanë i kanë flakur të gjitha paragjykimet e vjetra dhe kanë fituar edukatë dhe moral të ri, të cilat varen nga mënyra e jetesës dhe binden nga pozita shoqërore. Nga kjo kuptojmë se kombi federal amerikan është i gatuar gjenetikisht me të gjitha tharmet e kombeve të përparuara dhe të prapambetura. Ai ndryshon nga kombi hyjnor, sepse mbështetet në tokë. Heronjtë, shkencëtarët dhe burrat e shtetit amerikan u përkasin kombësive dhe racave nga e gjithë bota.