Marrin vrull protestat në Francë – Ashpërsohen “jelekët e verdhë” përballë indiferencës së Macron

405
Sigal

Protestat në Francë kundër kostove të larta të jetesës dhe indiferencës nga presidenti Emmanuel Macron u bënë përsëri të dhunshme gjatë fundjavës.

Marshimi  i “jelekëve të verdhë” nisi në mënyrë paqësore por degradoi më vonë gjatë ditës. Trupat e policisë përdorën gaz lotsjellës për të parandaluar protestuesit që të kalonin lumin drejt Asamblesë Kombëtare.   Dy muaj pasi nisi bllokimi i rrugëve dhe protestat e dhunshme në Paris, Jelekët e Verdhë kërkojnë tashmë të shtojnë vrullin e kësaj lëvizjeje që u ngadalësua gjatë pushimeve.

Qeveria e Macron, e tronditur nga trazirat, ashpërsoi qasjen gjatë kësaj jave, duke i quajtur “jelekët e verdhë” rebelë që kërkojnë përmbysjen e Qeverisë. Tkurrja e të ardhurave te familjet dhe mendimi që Macron është treguar i “shurdhër” ndaj nevojave të qytetarëve dhe ka zbatuar reforma në favor të të pasurve, ka irrituar protestuesit, veçanërisht punëtorët me të ardhura të ulëta.

Zëdhënësi i Qeverisë, Benjamin Griveaux u arratis nga dera e pasme e  zyrës së tij, pasi disa protestues u dyndën drejt ndërtesës. Ministri i Brendshëm, Christophe Castaner tha se rreth 50,000 protestues kanë marshuar në të gjithë vendin.