Marrëveshja me kreditorët, Merkel-Greqisë: S’ka mbetur edhe shumë kohë!

489
Kencelarja gjermane, Angela Merkel, i bëri thirrje autoriteteve greke se nuk ka mbetur shumë kohë për të nënshkruar marrëveshjen e shumëpritur që do t’i siguronte vendit ndihmë financiare për të shmangur falimentimin në këmbim të reformave që do të rimëkëmbin ekonominë e vendit.
Që nga Mynihu, ku po kryhen punimet e G7-ës, Merkel tha se kriza greke është diskutuar në Samit, por pavarësisht se gjendja është delikate, nuk ka krahasim me kolapsin e bankave amerikane të vitit 2008.
“Duam që Greqia të mbetet pjesë e Eurozonës, por i qendrojmë pozicionit tonë se solidariteti i vendeve europiane dhe FMN-së duhet të ketë si kundërpërgjigje propozimin dhe zbatimin e reformave nga ana e Greqisë. Problemi është se nuk kemi shumë kohë. Çdo ditë ka vlerë”.
Merkel do të ketë mundësi të takohet sërish me kryeministrin grek, Aleksis Tsipras, të mërkurën në samitin e Bashkimit Europian me vendet e Amerikës së Jugut.
Që prej fjalës së ashpër në parlament, ku Tsipras kritikoi propozimin e marrë nga partnerët dhe akuzave të Komisionit Europian për shtrembërim të porpozimeve të tij, qeveria helene i ka zbutur tonet, pasi ka deklaruar që pavarësisht se merr për bazë propozimet e veta, është e gatshme të bëjë kompromis.
Pas një takimi me homologun gjerman, Volfgan Shojble në Berlin, ministri grek i Financave, Janis Varufakis, bëri thirrje që pengesat të kapërcehen sa më shpejt.
“Është koha që të mos fajësojmë më njeri-tjetrin, por të bëjmë punën tonë për të nxjerrë frytet e përpjekjeve të përbashkëta disamujore”.
Por edhe pse Athina ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohëshme nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare brenda fundit të muajit qershor, vendi rrezikon të falimentojë nëse nuk shlyen detyrimet ndaj kreditorëve, të cilët janë të gatshëm të bëjnë “skonto” vetëm nëse merren masa, që sipas qeverisë së Syriza-s, rëndojnë edhe më tepër qytetarët grekë.
Sigal