Marrëveshja me Iranin, ministri i Jashtëm Zarif: SHBA do ta braktisë akordin

120
Shtetet e Bashkuara do ta braktisin marrëveshjen bërthamore me Iranin. Kështu është shprehur Ministri i Jashtëm i Iranit, teksa vendi përgatitet të mësojë verdiktin e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me vijimësinë e marrëveshjes. Sipas ministrit Zarif, shpresat mbeten tek përgjigja e Europës, që sipas Iranit, do të vijojë të respektojë marrëveshjen.

Ministri i jashtëm i Iranit deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të braktisin marrëveshjen ndërkombëtare që kufizon veprimtarinë bërthamore të vendit të tij. Por sipas ministrit Mohammad Javad Zarif, ka shpresë që Europa të vijojë ta respektojë marrëveshjen. Presidenti amerikan Donald Trump, një kritik i ashpër i akordit, do të lajmërojë muajin e ardhshëm nëse ai beson se Irani i është përmbajtur kushteve të përcaktuara. Nëse presidenti deklaron se angazhimi i Teheranit ka qenë dështim, atëherë Kongresi i Shteteve të Bashkuara do të fillojë procesin e rivendosjes së sanksioneve ndaj Iranit. Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Trump tha se marrëveshja ishte e turpshme.

Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, që së bashku me Kinën dhe Rusinë kanë nënshkruar marrëveshjen, kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për akordin. Ministri Zarif u shpreh se në rast se Shtetet e Bashkuara vendosin të tërhiqen nga marrëveshja, atëherë zyrtarët e Bashkimit Europian duhet të veprojnë për të mbrojtur investitorët e tyre nga Iran nga sanksionet amerikane. Sidoqoftë, ashtu si Shtetet e Bashkuara, edhe Europa ka kritikuar Iranin lidhur me veprimtarinë jo-bërthamore në rajon.