Marrëveshja BDI-LSDM – Për herë të parë Maqedonia me kryeparlamentar shqiptar

520
Punimet e Kuvendit të Maqedonisë, për herë të parë në histori do të drejtohen nga një shqiptar, teksa BDI dhe LSDM kanë rënë dakord për të vendosur në krye të këtij institucioni, Talat Xhaferrit. Lajmi u konfirmua nga shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Artan Grubi, i cili tha se kjo dakordësi është pjesë e një akordi më të gjerë mes palëve. Tashmë, do të pritet zyrtarizimin e tij në vazhdimin e seancës konstituive që është parashikuar të mbahet ditën e hënë.

BDI dhe LSDM kanë arritur një marrëveshje historike në Maqedoni, teksa për herë të parë në krye të parlamentit do të jetë një shqiptar.

Fjala është për Talat Xhaferrin, i cili ka shërbyer më herët si Ministër i Brendshëm dhe si deputetet nga rradhët e partisë së drejtuar nga Ali Ahmeti.

Lajmi mbi ekzistencën e një marrëveshje të tillë është konfirmuar nga shefi i kabinetit të Ahmetit, Artan Grubi.

Ky i fundit u shpreh se dakordësia për vendosjen e Xhaferrit në krye të dhomës legjislative është pjesë e një akordi më të gjerë për formimin e institucioneve maqedonase.

Ai shtoi se gjithçka do të zyrtarizohet të hënën me vijimin e seancës për konstituimin e parlamentit, ku natyrisht do të proçedohet edhe me zgjedhjen e kryetarit.

Në kushtet kur Presidenti Gjorge Ivanov ka refuzuar t’i japë mandatin për formimin e qeverisë liderit social-demokrat, Zoran Zaev, LSDM, BDI dhe partitë e tjera shqiptare që kanë shprehur mbështetje për këtë bosht, kanë vijuar të ndërmarrin masa të njëanshme, teksa pas konstituimit të parlamentit, do të nisin një tjetër shkresë zyrtare në presidencë, për të njoftuar kreun e shtetit se partitë politike kanë krijuar një shumicë që u lejon të marrin në dorë frenat e ekzekutivit.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse Ivanov do të marrë parasysh kërkesën e dytë që është planifikuar të dërgohet në adresë të tij.
Kreu i shtetit maqedonas ka patur presion të vazhdueshëm nga perëndimi për të mos bllokuar proçeset demokratike.
Sigal