Marko Bello/ Ukraina po e humbet Krimenë. Perëndimi indiferent!

440
Sigal

Duket se Ukraina po e humbet Krimenë, pasi Perëndimi nuk ka ndërmend ta mbrojë atë ushtarakisht. Revanshi i Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ndaj fitores së Perëndimit në Ukrainë nuk do të ndalet vetëm në Krime, por do të shkaktojë turbullira në të gjithë zonën lindore të vendit që banohet në shumicë nga rusofonët. Në formatin e saj aktual, Ukraina e ka të vështirë të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe NATO. Një vend me trupa ruse nuk mund të jetë pjesë e strukturave perëndimore. Ndërsa, Kremlini nuk do të lejonte instalimin e pajisjeve ushtarake të NATO-s në Jaltë, aty ku Stalini ndau botën në zona influence bashkë me Presidentin e SHBA, F. D. Ruzvelt dhe kryeministrin e Britanisë së Madhe Vv. Churchill. SHBA, fuqia më e madhe e globit që ka ditur të kombinojë me sukses interesat e veta strategjike, me mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe të demokracisë në botë, me ardhjen e Presidentit Obama po praktikon një strategji tërheqjeje nga zonat e konfliktit. Rusisë iu desh një javë që të rimerrte “dhuratën” që i pati dhënë në 1954 Ukrainës, duke e pushtuar praktikisht gadishullin dhe siguruar kontrollin në zonën e Detit të Zi, përballë aleatëve amerikanë: Rumani, Bullgari, Turqi dhe Gjeorgji. Përballë kësaj situate priten reagime të forta nga SHBA dhe Europa dhe nuk përjashtohet rikthimi i “luftës së ftohtë” midis Perëndimit dhe Rusisë.