Maqedoni, Zaev refuzon tryezën e Ivanov. Pret mandatimin nga presidenti

454
Kreu i opozitës maqedonase, i cili pritet të marrë frerët e ekzekutivit, Zoran Zaev refuzoi thirrjen e presidentit Ivanov për bisedime urgjente mes udhëheqësve partiakë këtë të premte, vetëm pak orë pasi demonstrues nacionalistë, mbështetës të partisë konservatore të Nikola Gruevskit, pushtuan Parlamentin dhe sulmuan e gjakosën ligjvënësit e opozitës. Një zyrtar i Partisë Social-Demokratike të Maqedonisë i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” se udhëheqësi i partisë, Zoran Zaev nuk do të shkonte në bisedime. Zyrtari, i cili nuk dha detaje të mëtejshme, foli në kushtet e anonimatit për shkak se nuk ishte i autorizuar të fliste për mediet. Policia njoftoi se 102 persona u plagosën gjatë dhunës që shpërtheu mbrëmjen e së enjtes brenda dhe jashtë Parlamentit, vetëm pak pasi u zgjodh kryeparlamentari i ri i Maqedonisë, i pari shqiptar në këtë pozicion, Talat Xhaferi. Zaev ishte mes viktimave, sikurse edhe kreu i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Sela, si dhe 22 oficerë policie. Duke folur në një konferencë për shtyp në Shkup, Zaev e përshkroi sulmin ndaj tij, që e la të gjakosur pas një çarjeje në pjesën e përparme të kokës, si një “tentativë për vrasje”. Zaev akuzoi ish-kryeministrin Nikola Gruevski, si dhe presidentin Gjorge Ivanov, se provokuan dhunën dhe tha, se ata të dy ishin të përgatitur për të “sakrifikuar interesat shtetërore” për interesat e tyre personale. Maqedonia, e cila fitoi pavarësinë pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, gjendet në krizë të thellë politike prej mbi dy vitesh, kur u zbulua i ashtuquajturi skandal i përgjimeve. Ndërkohë, zgjedhjet e dhjetorit që nuk sollën një fitues të qartë, komplikuan edhe më tej llogaritë për pushtet. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara dënuan dhunën e së enjtes, ndërkohë që njohën kreun e ri të Parlamentit, Talat Xhaferin, nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim, duke thënë se do të punojnë së bashku me të. Ndërkohë dje, Zaev tha se pret nga kryeparlamentari i ri Xhaferi t’i kërkojë presidentit Ivanov dhënien e mandatit për formimin e qeverisë kreut të LSDM-së, Zaev, brenda ditëve të ardhshme.
Sigal