Maqedoni – VMRO propozon strategji për dalje nga kriza, LSDM e hedh poshtë

430
Në kohën kur paralameti i Maqedonisë po prodhon çdo ditë seanca shterpë pa arritur të zgjedhë kryetarin, partia e ish-kryeministrit Nikola Gruevski VMRO-DPMNE ka shpalosur planin e saj për dalje nga kriza politike në të cilin parashikon marrëveshje mes partive politike që të mos lejojnë më ndërhyrje të jashtme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të brendshme, përfshirë këtu edhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe shteteve fqinje. Mes të tjerash VMRO-DPMNE-ja u bën thirrje partive që të përcaktohen nëse prioritet do të mbeten euro-integrimet ose ri-përkufizimi i marrëdhënieve mes etnive, nëse do të përkrahet modeli multi-kulturor ose ai binacional i vendit. Antonio Milloshovski i kësaj partie në një deklaratë për mediat u shpreh:

“Propozojmë bashkim të brendshëm kundër përzierjes në punët e brendshme të vendit nga ana e politikanëve ose shteteve të huaja të cilat bien ndesh me respektimin e sovranitetit ose bien në kundërshtim me parimin për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Marrëveshje nëse rëndësia e praktikës politike “fituesi me fituesin” është faktor stabiliteti, nëse duhet të qëndrojë si i tillë ose hidhet njëherë e përgjithmonë poshtë”.

LSDM nëpërmjet Petre Shilegov kunndërshtoi ashpër këtë plan-strategji të VMRO-DPMNE-së, duke u shprehur se populli e dërgoi Gruevskin në opozitë.

“As Nikolla Gruevski dhe as VMRO DPMNE-ja nuk janë më faktorë në Republikën e Maqedonisë. Qytetarët vendosën. Politikanët si Gruevski dhe udhëheqësia e VMRO DPMNE-së që i krijuan problemet nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes. Për këtë porosisim që VMRO DPMNE-ja të pranojë që është opozitë, të ndalojë së frenuari proceset demokratike. Në Maqedoni do të ketë qeveri reformuese të qytetarëve. pa Nikolla Gruevskin dhe VMRO-DPMNE-në”.

Dokumenti të cilit i referohet Milloshovski ende nuk është gati nga VMRO DPMNE, edhe pse vetë lideri i kësaj partie e ka njoftuar që para 10 ditësh. Sipas dokumentit, i cili u refuzua nga partitë shqiptare që në momentin e hartimit, pritet të shërbejë si një strategji mbipartiake për daljen nga kriza dhe ruajtjen e karakterit unitar të Maqedonisë.
Sigal