Maqedoni/ Shkon në 5 numri i të vdekurve nga përmbytjet, vijojnë kërkimet për 6 vjeçaren

482
Është gjetur trupi pajetë i Raif Jusufit 61 vjeç nga Liseci i Tetovës, duke e çuar në 5 numrin e viktimave nga përmbytjet në Maqedoni. Trupi i 61 vjecarit u gjet në afërsi të Reçicës së Epërmes.
Raif Jusufi konsiderohej i zhdukur dhe trupi i tij u gjet nga disa persona, që kanë qenë duke mbledhur hekur.
61 vjeçari mësohet se ditën e përmbytjeve ka qenë në bjeshkë bashkë me nipin e tij 7 vjeçar, i cili po ashtu humbi jetën në fatkeqësinë natyrore por trupi i vogëlushit shtatë vjeçar u gjet në fshatin Reçicë e Madhe, disa km larg vendit ku u gjet gjyshi i tij, ku besohet se e ka çuar vërshimi i fortë i ujit.
Ndërkohë kërkimet vazhdojnë për 6 vjeçaren Drita, e cila akoma nuk është gjetur nga ekipet e shpëtimit dhe familjarët.
Edhe sot Tetova është në zi në nderim të viktimave të përmbytjeve.
Nga shtabet e krizave të formuara në çdo fshat theksohet se po bëhen përpjekje për të normalizuar gjendjen, por ato po hasin në vështirësi të shumta për shkak të mbetjeve të mëdha të dheut dhe gurëve nëpër rrugë dhe depërtimit të tyre nëpër shtëpitë e banimit.
Banorët, ndërkohë shprehen të pakënaqur nga ndërhyrja e institucioneve, që, sipas tyre, edhe kësaj here kanë dështuar në menaxhimin e situatës gjatë fatkeqësisë natyrore.
Ekspertët thonë se institucionet duhet të ndërmarrin masa urgjente për të ndërhyrë në pikat që vlerësohen kritike për të parandaluar përmbytjet e përmasava shkatërruese, siç ndodhi tani me reshjet e shiut.
Sigal