Maqedoni/ LSDM e Zoran Zaev kthehet sot në Parlament

91
Opozita e kryesuar nga LSDM-ja, sot duhet të kthehet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, në pajtueshmëri me marrëveshjen nga Përzhino për zgjidhje të krizës politike., raporton Ina.
Deputetët e LSDM-së nuk morën pjesë aspak në punën e Kuvendit, pasi që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në prill të vitit të kaluar kryetari i LSDM-së Zoran Zaev publikoi se nuk i pranon rezultatet zgjedhore.
Sipas protokollit drejt marrëveshjes së 2 qershorit, që më 15 korrik e nënshkruajtën liderët e katër partive më të mëdha politike, dy javë pas kthimit të opozitës në Kuvend, gjegjësisht deri më datën 15 muajin e ardhshëm duhet të ketë prokuror special të ri me autonomi të plotë që ta udhëheqë hetimin për rastet “Përgjimi” dhe “Puç”. Prokurori special emërohet përmes marrëveshjes së partive nënshkruese.
Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev deklaroi se kthimi në parlament është me qëllim që të miratohet ligji për prokurorin special deri më 15 shtator.
Piter Van Hojte, lehtësues në bisedimet midis grupeve punuese partiake, javën e kaluar deklaroi se është arritur progres serioz për të gjitha pikat në dialog kushtuar Kodit Zgjedhor. Sipas tij, më e vështirë është që të motivohen njerëzit që vazhdimisht të jenë të angazhuar në diskutim, ndërsa në bisedimet, thotë, është arritur progres i madh lidhur me besimin e ndërsjellë midis partive politike.
Me marrëveshjen nga Përzhino është paraparë edhe inagurimi i qeverisë së re më 15 janar të vitit 2016, 100 para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 24 prill të vitit 2016. Në krye të qeverisë së re do të jetë kryeministër i nominuar nga VMRO-DPMNE-ja. Programi i Qeverisë është i kufizuar në organizim të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ndërkohë, krahas kthimit të opozitës në Kuvend dhe emërimi i prokurorit special, me marrëveshjen nga Përzhino parashikohet që më 20 tetor, të emërohen ministra të rinj të Punëve të Brendshme dhe i Punës dhe Politikës Sociale me propozim të LSDM-së. Në këto Ministri njëkohësisht do të emërohen zëvendësministra të rinj shtesë me propozim të VMRO-DPMNE-së. Zëvendësministra, me propozim të LSDM-së, madje, do të emërohen në Ministrinë e Financave, të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe të Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Këta zëvendësministra do të kenë të drejtë të plotë të kontrollit dhe vetos në Ministritë adekuate për të gjitha çështjet juridike, financiare dhe kadrovike të lidhura me organizimin e zgjedhjeve.