Maqedoni: Deputeti mes lotësh bën thirrje për të drejat LGBT

688
Deputeti i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Branko Manajllovski, kërkoi për herë të parë hapur respektimin e të drejtave të personave LGBT dhe zyrtarizimin e martesave mes së njëjtës gjini në Kuvendin e Maqedonisë.
“Askush këtu nuk foli për të drejtat e homoseksualëve, një segment i madh, njerëz të shkëlqyeshëm që kontribuojnë për shtetin, punojnë, ndërsa tek ne kjo është baukë. Unë nuk mund të kuptoj se ne heteroseksualët jemi të robëruar në një mendim se duhet të kemi vetëm burrë, grua dhe fëmijë, mund të diskutojmë këtë pozicion në shumë mënyra. Duhet t’u jepen të gjitha të drejtat homoseksualëve në këtë Republikë. Të gjitha, madje edhe e drejta për martesë”, tha deputeti Manajllovski.
Deputeti i BDI theksoi madje se duhen dënuar ata që nuk respektojnë të drejtat e komunitetit LGBT duke sjellë në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve edhe shembullin e një çifti të rinjsh gej në SHBA të cilët ishin dhunuar sepse ecnin në park të kapur për dore.
“Kur isha para 48 viteve ndodhi një rast në Amerikë. Dy të rinj gej mbaheshin përdore dhe shëtitnin në park dhe një grup njerëzish i sulmuan. Ishte në faqen e parë të gazetave dhe në lajme për muaj se nuk ishte e drejtë dhe i dënuan në burg të përjetshëm ata që i sulmuan. Unë u pajtova me këtë, kështu duhet të jetë”, tha Manajllovski.
Nga ana tjetër deputeti i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi, reagoi ashpër duke thënë se ato fjalë janë të papranueshme dhe se për Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të proklamohet asnjë vlerë tjetër përveç atyre që mbrojnë vlerat e familjes tradicionale.
Bekim Asani, kryetar i shoqatës LGBT Junajted në Tetovë, tha për Historia Ime se fjalimi i deputetit të BDI ishte shumë inkurajues për lëvizjen, sidomos tani në prag të fillimit të përgatitjeve për pride weekend në Tetovë që do të mbahet në nëntor.
“Ne besojmë në sinqeritetin e deputetit Manajllovski dhe nga ana tjetër dënojmë fjalet fyese dhe diskriminuese që vijnë nga disa deputetë të tjerë po ashtu shqiptarë, të cilët dolën në mbrojtje të familjes tradicionale duke e quajtur komunitetin LGBT devijim”.
Asani theksoi gjithashtu për HI se ndryshe nga si u paraqit në media, asnjë nga organizatat LGBT në Maqedoni nuk ka kërkuar deri tani njohjen e martesave të së njëjtës gjini. “Jemi të fokusuar në fuqizimin e komunitetit LGBT dhe ndryshimin e ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ku mungojnë ‘orientimi seksual’ dhe ‘identiteti gjinor’ si baza diskriminimi”.
Sigal

Video e plotë e fjalimit të deputetit Branko Manajllovski: