Maqedoni, 9 mijë policë stërviten për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale

85
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë në bashkëpunim me OSBE-në, është duke stërvitur mbi 9 mijë policë të cilët do të angazhohen në mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve lokale, që do të mbahen në tetor.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski për “Radion Evropa e Lirë” thotë se dikasteri që drejton ai po bën të gjitha përgatitjet përfundimtare për të pasur një proces zgjedhor të besueshëm nga të gjitha palët.
“Ne për çdo ditë e japim kontributin tonë që mos të ketë incidente, të zvogëlohet numri i incidenteve, ose të mos arrihet deri në incidente më serioze të cilat do të mund ta prishnin procesin zgjedhor. Por këtë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme, pjesën e vet të punëve, ingjerencat që ka, autorizimet që i ka në dispozicion do t’i zbatojë, që me të vërtetë të sigurohen zgjedhje fer dhe demokratike dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, qytetarët të mund të marrin vendime”, thotë ministri Spasovski.
Ndërkaq, Ismet Ramadani nga Këshilli Veri-Atlantik për Radion Evropa e Lirë thotë se marrë parasysh rëndësinë e këtyre zgjedhjeve lokale sepse vlerësohet se këto zgjedhje lokale përcaktojnë të ardhmen e partive politike, kjo e bën nënvizon ai, që i gjithë ambienti procesit zgjedhor të jetë tensionues, megjithëse çdo kush që do të shkakton incidente do të humbte përkrahjen e faktorit ndërkombëtar edhe nëse shënon fitore.
“Liderët ose udhëheqësit e partive politike gjatë këtyre zgjedhjeve nuk do të kenë guxim të japin instruksione që strukturat ose militantët e tyre të krijojnë incidente në terren, sepse në atë rast definitivisht do të humbin përkrahjen tek faktori ndërkombëtar, veçanërisht tek Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja”.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë Oliver Spasovski thotë se për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, rol kyç kanë partitë politike, veçanërisht reflektimi i drejtuesve të partive politike dhe kandidatëve që janë futur në garë zgjedhore.
Ndryshe, nga faktori ndërkombëtar disa herë është theksuar se angazhimi i të gjithë aktorëve që janë të përfshirë në zgjedhjet vendore, për një fushatë dinjitoze dhe uljen e nivelit të gjuhës së urrejtjes, zhvillim të procesit zgjedhor në bazë të kritereve të larta demokratike, sepse sipas tyre, kjo është ajo që i hap rrugë procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.