Mali i Zi ratifikon anëtarësimin në NATO. Lëvizje historike

546
Parlamenti malazez miratoi këtë të premte anëtarësimin e vendit ballkanik në aleancën ushtarake NATO, në një kthim historik drejt Perëndimit dhe mes protestave të shumta nga Rusia dhe opozita proruse në vend.
Ligjvënësit votuan unanimisht, 46 pro dhe asnjë kundër, në ish-kryeqytetin Cetinje, aty ku gjendet edhe selia e Presidencës së Malit të Zi, për të ratifikuar Traktatin e pranimit në aleancës ushtarake perëndimore. Pas votimit, deputetët u ngritën në këmbë dhe duartrokitën mes brohoritjeve vendimin historik.
Parlamenti malazez ka 81 anëtarë, por ligjvënësit e opozitës proruse e bojkotuan këtë seancë. Disa qindra mbështetës të opozitës u mblodhën pranë bashkisë përpara votimit.
Mali i Zi ka një ushtri të vogël prej rreth 2.000 trupash, por zotëron një pozicion strategjik gjeografik, gjë që i jep NATO-s kontrollin e plotë të daljes në detin Adriatik. Edhe vendet e tjera me dalje në Adriatik, – Shqipëria, Kroacia dhe Italia, – janë gjithashtu pjesë e aleancës.
Rusia është irrituar së tepërmi nga zgjerimi i NATO-s në Mal të Zi, një zonë interesi historik për Moskën. Vetëm pak kohë më parë, Mali i Zi akuzoi zyrtarisht Rusinë se fshihej pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti në tetor, që pretendohet se kishte për synim rrëzimin e qeverisë së ish-kryeministrit Djukanoviç dhe pengimin e anëtarësimit të vendit fqinj në NATO. Por Kremlini e ka hedhur poshtë këtë akuzë.
Kryeministri aktual, Dusko Markoviç u ka thënë ligjvënëse se anëtarësimi në NATO ishte një garanci për sigurinë në të ardhmen e Malit të Zi, progresin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.
“Ky Parlament dhe anëtarët e tij kanë privilegjin historik për të marrë një vendim që do të mbahet mend për sa kohë që të ketë një Mal të Zi dhe malazezë”, tha Markoviç. “Kjo ditë do të shënohet si një ndër më të shkëlqyerat në historinë tonë”.
Sigal