Lunacek i kërkon Qeverisë së Kosovës të ridërgojë Specialen për votim në Kuvend

508
Nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, ka kërkuar nga partitë në koalicionin qeverisës në Kosovë, t’i riprocedojnë ndryshimet kushtetuese në Kuvend që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale, raporton Indeks.
Pas dështimit për votimin në herën e parë, në mungesë të numrave të mjaftueshëm për të siguruar shumicën e dyfishtë në Kuvend, partitë kryesore partnere në Qeveri, PDK dhe LDK janë duke u munduar të gjejnë modalitete për ridërgimin në Kuvend të Gjykatës Speciale.
Përveç partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës, qëndrim kundër kësaj gjykate kanë edhe disa deputetë të PDK-së që pamundësuan kalimin e amendamenteve kushtetuese.
Ndërkohë, faktori ndërkombëtar vazhdon me ngulmë të kërkojë themelimin e Speciale në Kuvend për të mos lejuar, siç shprehën, që Këshilli i Sigurimit i OKB-së ta bëjë atë vetë.
Gjithashtu, ata i bëjnë thirrje partive politikë në Kuvend që ta votojnë këtë gjykatë, për të larguar akuzat që vijnë nga raporti i Dick Marty-t.
Një kërkesë e tillë vjen edhe nga numri dy i Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, e cila në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se Qeveria duhet ta provojë edhe shansin e dytë për t’i miratuar këto ndryshime kushtetuese që lejojmë themelimin e Speciales.
Lunacek ka vlerësuar se themelimi i kësaj gjykatë do t’i mundësonte Kosovës që të vazhdojë rrugën e saj, duke e dëshmuar një të kaluar të pastër.
“Pas dështimit të parë për të votuar ndryshimet kushtetuese të cilat mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale, unë kërkojë nga Qeveria që t’i dërgojë këto amendamente sërish për rivotim në Parlament. Kjo do t’i mundësonte Kosovës që të largohet nga kaluara e paqartë”, ka thënë Lunacek për lajmi.net.
Në kohën kur presioni ndërkombëtar po vazhdon drejtë institucioneve për ta votuar këtë gjykatë, partia më e madhe në Qeveri, PDK, ende nuk duket se ka arritur t’i bindë ata deputet që votuan kundër, që të ndryshojnë qëndrim.
Në të njëjtën kohë, kryeministri Isa Mustafa, nuk ka caktuar ende ndonjë datë të saktë se kur Qeveria do të riprocedojë këto amendamente kushtetuese në Kuvend.
Sigal