Luan SHMILLI/Berluskoni ndërton në vilën e tij tunel si të Enver Hoxhës

45

Tuneli në Villa Certosa identik me projektet e Hoxhës, kundër goditjeve atomike, shtuar impiante dritash shumëngjyrëshe dhe dysheme përrallore

 Nga Italia për “Telegraf”

Tanimë është publikuar gjithçka edhe pse mbahej nën sekret shtetëror të fortë. Silvio Berluskoni, ish- kryeministri italian i dorëhequr ka bërë edhe tunel të nëndheshëm në det. Sekreti i tunelit, bërë në fshehtësi të plotë edhe nga emigrantë shqiptarë (që kanë bërë të tillë në Shqipëri, 25 vjet më parë në ishullin e Sazanit, a në brendësi të vendit, si tregon një ish i përndjekur nga Durrësi,…) është publikuar edhe në shtypin italian. “La Repubblica” i kushton një analizë me foto “sekretit” shtetëror italian.

Ndërkohë analistët thonë se, tunelet e Silvios janë ide të Enver Hoxhës, për t’u mbrojtur nga atomikët, ndaj edhe Silvio Berluskonit një ide e tillë, “e mirë”, i ka ardhur kur nga helikopteri Fatos Nano ose Sali Berisha i kanë treguar gjatë një fluturimi me helikopter në jug të vendit, radhët e bunkerëve dhe tunelet e shumtë, të cilët ja shante Nano dhe lavdëronte Berisha. Silvio i shihte me admirim tunelet duke besuar se edhe atomiku i Iranit nuk mund të bëjë asgjë, nëse çdo i pasur ka një të tillë, që të nxjerrë jo në Skrapar, si është mburrur Berisha, por edhe poshtë detit. “E shani kot ju socialistët Enver Hoxhën, (besohet t’i ketë thënë Nanos në helikopter, ndërsa Berishës, që e mburr Enverin tek të huajt, hidrocentralet, kënetat e thara, rezervuarët, kanalizimet e mbetura etj., i ka bërë mirë, duhet pas Zogut t’i bëhet një mauzoleum) dhe e shan përpara popullit. Dhe, për ta kuptuar populli kush është në të vërtetë Sali Berisha, vazhdon shoqëruesi i Silvios, Silvio i lidhi atij një kollare të kuqe duke i thënë në vesh: “Udhëheqësi juaj do t’u kish lidhur në tunel, për mashtrimet që bëni në popull! Sidomos udhëheqësi juaj i vërtetë, Tito, i cili ju la amanetin e ngjyrës blu, çdo të paguari prej Beogradit”.

Tingëllojnë jo bindëse këto fjalë të shkruara, por aq e vërtetë është kjo sa edhe vajzat shqiptare që i kërkoi Berishës, Berluskoni; i shkuan gjer në Vilën Certoza, në Sardenjë, madje një tjetër burim i sigurt thotë se tunelin Berluskoni ua ka treguar edhe vajzave shqiptare dhe ndërsa u tregonte hapësirat, nën dritën e lehtë të elektrikut të dorës, i ka pyetur të tregojnë dallimin midis tunelit të tij dhe të Enver Hoxhës, (skicat besohet se ja shiti Nano, Berluskonit). “Asnjë dallim, tregohet të ketë thënë njëra nga dy vajzat shqiptare, duke ja marrë në dorë, dritën e dorës, Silvios dhe lënë atë në errësirë, me shoqen e saj shqiptare. “Ka dallim, ka…mes meje dhe Enverit të Saliut!” ka thirrur Silvio dhe, me një të shtypur butonin e një pulti xhepi, tuneli u mbush me drita shumëngjyrëshe, kurse uji i detit nga blu i errët u bë plotësisht i kuq. “Ja dallimi im me Enverin”, ka thirrur dhe ka  buzëqeshur ai i lumtur duke hedhur krahët mbi supet e zhveshura të vajzave shqiptare. “Thoni tani që nuk jam më i mirë se Enveri! Atomiku i Iranit këtu nuk vlen!”

Njëra nga vajzat nuk ka nguruar të thotë: “Ju e keni bërë për vete, Enveri i kish bërë për të gjithë, nëse na hidhte atomikun…Irani…”

“Ah, për të gjithë…Kjo nuk mund të bëhet, por çdo i pasur duhet të ketë një tunel..”, besohet se ka konkluduar Berluskoni me një nëntekst të plotë të ruajtjes dhe garancisë edhe të vlerës së parave, të marra me çdo mjet! Kjo është me siguri gjysmë e vërtetë, ose dhe plotësisht e vërtetë. Por, nga ç’ka thënë e bërë Berluskoni me Nanon e Berishën, madje pse jo, edhe me vajzat e kërkuara (ka publikuar shumë shtypi) e që sovrani popull ua bëri dhe barcaleta  menjëherë; nga të gjitha marrëzitë që mbeten edhe sot, është plotësisht real vetëm tuneli i Berluskonit në Vila Certoza, Sardenjë, projekti i shitur dhe realizuar, thonë, nga shqiptarët.

Dhe “sekreti” shtetëror italian ka dalë dhe ka marrë dheun… Është fotoreporteri sard Antonello Zappadu që ka ditur t’i “vjedhë” Berluskonit me kohë sekretin, ç’bëhet brenda në vilë dhe së fundi, edhe tunelin kopjuar prej skicave të Enverit. Për Zappadu, ja vlen të themi dy fjalë edhe si mik i vjetër i imi dhe shumë dashamirës me shqiptarët emigrantë edhe pse prej kohësh jeton në Kolumbi. Ai ishte gjer pardje edhe bashkëpunëtor i vjetër i Agjencisë së shtypit, “Europa 1”, e cila i ndërpreu kontratën, si shumë të tjerëve, për efekte krize dhe ndërprerje financimesh nga shteti. Është pikërisht një vendim i qeverisë Berluskoni, i cili gazetës së familjes së tij dhe disa të tjerave u lejon ende investime shtetërore (gazeta e familjes së tij “Il Giornale”, merr çdo vit 12 milionë Euro investim, “Corriere della Sera” 24 milionë, etj…) ndërsa të tjerave dhe disa agjencive të shtypit, jo! Zappadu e kam njohur në vitin 1994. Njohje pas një grabitjeje që banditë sardë bënë në postën e qytezës Fonni, Nuoro, ku një bandit u vra, dy u plagosën, por nuk u kapën dot, ndërsa u plagosën rëndë dy policë. Aty kam njohur Zappadu, një njeri i shkëlqyer dhe një profesionist kurajoz. Ndërsa profesionalizmi i tij është rritur duke e bërë të njohur me fotografitë “e ndaluara” të politikanëve, qeveritarëve që paguhen nga Sovrani, edhe miqësia jonë është forcuar falë teknologjisë bashkëkohore të ndërlidhjeve. “Sekreti” i tij më i fundit me tunelin nën det të Berluskonit, (www.Zappadu.com) edhe për shqiptarët, sepse jo vetëm që Silvio ka ardhur në Shqipëri, por edhe për faktin se të huajt e fuqishëm e me pushtet, bëjnë tunele private, nëntokësorë, si të Enverit, duke e përmendur atë seriozisht për supermbrojtje individuale. Berluskoni ka deklaruar se: “Janë Shërbimet Sekrete ato që më kanë thënë të bëj ato punime, mbas 38 kërcënimeve me vdekje që kam marrë”. Fotot flasin vet. Tuneli i bërë në shkëmb niset nga Vila dhe të çon në pasqyrën e detit në vendin e quajtur “Punta Lada”. Për të hyrë në detaje, mozaiku fundor është personalizuar me figurën e Poseidonit, perëndisë pellazgjike të ujërave dhe detit. Mbi bord të shkëmbinjve, kur mbaron tuneli “enverian”, janë instaluar prozhektorë led, për të dhënë drita shumëngjyrëshe poshtë ujit. “Do të jetë interesante të kryhen zhytje, të shihet çfarë është shkatërruar e fshehur në ata shkëmbinj të nënujshëm dhe a ka të tjera “sekrete” shtetërore nën det me tunel nga një vilë private?”,  ka pyetur nga Kolumbia, ku dhe jeton tani, Zapadu. Punimet nën ujë, në Villa Certoza, kanë filluar në vitin 2004, nën një dekret qeveritar të vet Berluskonit. “Për tunelin kam pyetur Lunardin (ish- ministër i Infrastrukturës), -tregon Berluskoni- “dhe i kam thënë të mos shkatërrojnë asgjë nga fundi i detit dhe shkëmbinjtë…”. Por shtypi i Sardenjës ka shpërthyer duke folur për “masakër” të territorit të tij sard se janë bërë ashensorë, punime për kryqezorë luftarakë dhe vendqëndrim nëndetësesh. Gjithçka kasaphanë palaçosh qeveritarë, shan shtypi dhe kërkon hetim duke ndezur gjer dhe ndjenjat nacionaliste të gjithë rajonit të Sardenjës, pjesë e shtetit italian. Një tunel me projekt të Enverit, për të mbrojtur Berluskonin… vetveten! Një burim anonim shqiptar thotë që një të tillë, pas atij që shfrytëzoi Nano, kur doli në Maqedoni, ka sot Berisha. Anonimi, real i qeverisë, tregon se tuneli është në Qafën e Magjypit, pranë fshatit Helshan, mbi Vaspasin e përmbytur nga liqeni i Fierzës, që e çon të rrezikuarin drejtpërdrejtë poshtë ujit nga del dhe sot drita e diktatorit të proletarëve… thua nuk është edhe ky, palaçollëk qeveritar, si shkruajnë sardët, për tunelin e Berluskonit?