“LSI-ja po e mbështet dhe do e mbështesë fuqishëm emigracionin”

618
Sigal

Intervista/ Flet nga Athina kryetari i LSI-së, z. Lefter Kuqo

Kreu i LSI-së për Athinën zoti Lefter Kuqo, i prononcuar për gazetën “Telegraf” tregon për punën e mire që po bëhet në strukturën e kësaj partie, riorganizimin e saj që ende pa kaluar një vit ka një shtrirje të gjerë në shumë qytete të Greqisë. Ai flet për punën intensive të LSI-së, për përqafimin e rinisë studentore rreth kësaj strukture, për mbështetjen që i bëhet emigracionit nga deputetët dhe ministrat, për ndihmën që këta japin në zgjidhjen e problemeve të tyre. Me anën e kësaj interviste kreu i LSI-së për Athinën u bën thirrje emigrantëve për të votuar për këtë parti, si e vetmja parti që interesohet për ta, për të votuar në mënyrë elektronike që nga Greqia, një iniciativë ndeshur me kundërshtimin e dy partive të mëdha të vendit. Gjithashtu ai thekson se në LSI nuk ka tabu, por ka një demokraci, ku çdo gjë trajtohet sipas kushteve konkrete ashtu siç e kërkon koha, që të gjithë të përfaqësohen në organet drejtuese, që LSI-ja është e përbërë dhe nga emigrantët si një pjesë e vitale e saj.

-Zoti Lefter si paraqitet LSI-ia në Greqi në krahasim me një vit më parë ?

Dega e LSI-së Athinë e riorganizuar një vit më parë me një punë të rinisur nga e para, tregon dhe sjell aksionet e veta politike në rritje, duke demonstruar që, është një aktor shumë i fuqishëm politik. Gjithmonë ka treguar se funksionon në mënyrë perfekte, operon dhe përkrah gjithë forcave progresiste, për ta ndihmuar atë në këtë sfidë, por edhe për ta monitoruar, për ta bërë si duhet punën për të siguruar të ardhmen e shpejtë evropiane. Bashkëpunimi dhe koordinimi në grup, por dhe kontaktet me grupet e mëdha të organizuara janë çelësi i funksionimit të suksesshëm të LSI-së në Athinë. LSI në Greqi sa vjen e rritet në mënyrë intensive. Kjo është arritur në bazë të punës sonë, të çdo anëtari të LSI-së, të kryesisë si dhe punës që kanë bërë dhe bëjnë të rinjtë dhe të rejat e kësaj dege. Pjesë e degës sonë janë bërë dhe bëhen çdo ditë shumë studentë dhe studente që studiojnë në universitetet greke.

-Deri ku janë shtrirë strukturat tuaja në Greqi?

Dega jonë qendrën e saj e ka në Athine. Zyrat ndodhen në zonën Halandri në rrugën Averov nr. 6, pranë sheshit ( platisë) qendrore në Halandri. Zyra është e hapur nga ora 10-të e mëngjesit deri në orët e vona të darkës, d.m.th. deri sa të mbarojmë çdo angazhim ditor që kemi. (Numrat e tel: 211 0195028, në celular në cosmote : 6944 946811, si dhe në wcap  697 5617661. E-mail: [email protected]  dhe në facebook: Lsi Greqi.) Për të funksionuar në mënyrë sa më perfekte dhe produktive, punën e kemi ndarë në nëndegë në gjithë Athinën, periferitë e saj dhe jemi duke u shtrirë edhe në ishuj. Gjithashtu janë krijuar nëndegët e qendrës në OMONIA me kryetar Rakip Katillari dhe anëtarët e kryesisë Jetnor Cuni, Albert Rrapaj, Neki Duri, si dhe nëndega e Vironës me n/kryetar Koçi Bozili dhe anëtarë të kryesisë Lefter Ruci, Babi Mullaj, Jani Malushi, nëndega Pangrati-Qesariani me kryetar Eduart Hysenaj, dhe bashkëpunëtor Ligor Bimaj, si dhe dega e Pireut me Elton Grabovarin, dega e Kerateas me Erton Bashën, dega e Koropis me Ardian Xhemalin, si dhe degët e Nea Makrit, Megaras me Laurent Shperdhën, në zonën Alepekori me Lulëzim Halilajn, në Korinth me Dritan Zanin. Doja të theksoja se shtrirja jonë ka arritur deri në Patra e Egjio  me  n/kryetar Ardian Gjini dhe Ilirian Hyseni. Se afërmi do kemi dhe degët tona në ishullin e Kretës. Çdo ditë e më tepër emigrantët përqafojnë këtë forcë politike. Sepse është LSI-ja që po u ndodhet pranë në këtë kohë të krizës ekonomike që ka zënë vendin, ku ne jetojmë. Interesimin LSI-ja për ne e ka treguar me vizitat që kanë bërë këtu titullarët e kësaj partie. Si Luan Rama, vizitat e herëpashershme të ministrit të Shëndetësisë dhe deleguar i emigracionit z. Vangjel Tavo, zv.ministër i Transportit dhe n/kryetari i LSI–së z.Ylli Manjani, ish-drejtori i AKBN  dhe anëtari i kryesisë Besjan Pesha. Shumë e suksesshme ishte vizita e ministrit të Jashtëm z. Edmond Panariti, në një kohë që në Greqi kishte 7 vjet pa shkelur këmba e një ministri të tillë

-Kohët e fundit LSI-ja në Greqi po bën shumë lëvizje duke pasur dhe mbështetjen e qendrës, kjo është një strategji apo rastësi?

Siç fillova të flisja në përgjigjen e pyetjes me pare, LSI-ja  po e mbështet dhe do e mbështesë fuqishëm emigracionin. Të deleguarit e qendrës kanë pasur synim që të ndihmojnë në problemet që kanë emigrantët në lidhje me qeverinë e Greqisë. Vizita e Panaritit me homologun e tij grek Avramopulon qe shumë produktive. U ra dakord që të ngrihen dy grupe pune me 6 ministra të qeverisë shqiptare si dhe 6 ministra të qeverisë greke, që të futen në rrugën e zgjidhjes në problemet e shumta që kemi në të dyja vendet, por duke i dhënë përparësi dhe problemeve që kanë emigrantët. Njohja e patentave shqiptare, njohja e sigurimeve shoqërore (ensimave), lehtësimi i procedurave të lejeve të qëndrimit, zgjidhja e problemit të emërtimeve të vendeve ku kanë lindur fëmijët tanë në Greqi, si dhe për ndryshimet në ligjin e marrjes së nënshtetësisë greke. Zoti Panariti i’u shpreh homologut të tij Avramopulos se, kriza ekonomike ka zënë jo vetëm grekët, por edhe emigrantët shqiptarë, prandaj duhen trajtuar me mënyrën e duhur se ne jemi taksapagues të rregullt në konform të ligjeve të shtetit grek, në të cilin jetojmë dhe punojmë. Shumë konkrete dhe e suksesshme ishte vizita e zv/ministrit të Transportit z. Ylli Manjani, që arriti në ngritjen e grupeve të punës, për njohjen e patentave shqiptare, si dhe problemin me lejet e transportit të udhëtarëve. Një vend kryesor ku u fol dhe për emigrantët ishte qëllimi i vizitës të ministrit të Shëndetësisë z. Vangjel Tavo, ku u arritën marrëveshje midis dy vendeve në fushën e mjekësisë, si një shkëmbim eksperience, transferimi i atyre rasteve që nuk mund të trajtohen në Shqipëri, për t’u mjekuar këtu, si dhe ardhja e mjekëve grek në Shqipëri. Të gjitha këto tregojnë interesimin e LSI-së për emigrantët, pasi këta janë një forcë e madhe me një eksperiencë që ka nevojë Shqipëria, që është në ndërtim e sipër në të gjitha fushat. Prandaj LSI-ja, i ka kërkuar Parlamentit shqiptar që të krijojnë mundësitë me ndryshime në ligjet përkatëse që të ndihmojnë emigrantët që kthehen nga kriza ekonomike për të pasur lehtësira fiskale.

-Si e pret LSI-ja në Greqi fushatën e votimeve dhe sa jeni të përgatitur për të?

Ne jemi të mirëorganizuar që fushatën zgjedhore ta përmbushim me sukses. Janë ngritur grupet e punës, anëtarët dhe simpatizantët i kemi ndarë sipas zonave dhe qendrave përkatëse. Dëshira jonë ishte që ne emigrantët të votonim me votim elektronik, por dy partitë e mëdha nuk e pranuan, si dhe nuk bënë ndryshimet përkatëse në kodin zgjedhor. Emigrantët e kanë kuptuar më së miri se kush i mbështet, prandaj do ta marrin mundimin që të votojnë për LSI –në, për atë forcë që e ka ngritur zërin për emigrantët deri ne Bruksel. Shumica e anëtareve dhe simpatizantëve tanë si dhe drejtuesit e LSI-së në Athinë dhe mbarë Greqinë janë njerëz, me një moral të pastër dhe të përkushtuar në këtë betejë që ka filluar, por të pakonsumuar në politikën shqiptare, me ide të reja dhe propozime konkrete për një ndryshim rrënjësor.

-A do ketë kandidatura nga emigracioni, sepse shikojmë që qendra ka marrë nga emigracioni edhe emigrantë?

Synimi i LSI-së ka qenë që Greqia të trajtohet si qark më vete dhe të kishte kandidatët e saj, por kjo nuk u arrit, sepse përsëri nuk pranuan dy partitë e mëdha. LSI-ja ka marrë në qendër një vajzë intelektuale, e cila kontribuoi me punën e saj për një periudhë kohore pranë zyrës tonë në Athinë, e që tani jep kontributin e saj në qendër për koordinimin e regjistrimeve dhe listave që dërgohen nga degët e Greqisë. Ne si LSI, në Athinë, kemi parashtruar kërkesat dhe propozime përkatëse për përfshirjen dhe të disa kandidaturave nga emigracioni, sepse kush më mirë se një emigrantë do t’i mbrojë dhe parashtrojë problemet e emigrantëve në Parlamentin Shqiptar. Në të gjithë kemi besim të plote tek kryetari i LSI-së z. Ilir Meta dhe kryesia e saj, që do marrin vendimet e duhura. Këtë gjë LSI-ja e tregoi duke zgjedhur në komitetin drejtues të konventës edhe tre kryetarët e degëve të Greqisë, si: Lefter Kuqo, Eduart Tafaj për Magnisinë dhe Guri Pejo për Selanikun. Ne si LSI, nuk kemi tabu, çdo gjë trajtohet sipas kushteve konkrete dhe kërkesave që kërkon koha, për të arritur në nivelin e duhur që të gjithë të përfaqësohen në organet drejtuese, ta ndjejnë që LSI-ja është e përbërë dhe nga ne emigrantët që jemi një pjesë vitale e saj.

-Në festimet e 100 Vjetorit të Pavarësisë së vendit tonë në Athinë, u panë shumë të rinj në krahasim me strukturat e partive të tjera, mos vallë ishte një rastësi festive?

Jo nuk është aspak rastësi. Ju e dini shumë mirë që LSI-ja bazën e saj e ka tek rinia. Këtu dua të falënderojë në veçanti kryetarin e LRI-së z.Enea Rrapon, nënkryetarin Julian Isufajë, si dhe anëtarët e LRI-së, Greta Mata, Ledio Ismaili, Edmira Muça, të cilët luajtën një rol të madh në organizimin e të rinjve dhe të rejave, që të arrinim dhe realizonim këtë mbrëmje të shënuar sa më mire. Dua të bëj një vlerësim të veçante dhe për kontributin e Eduart Hysenajt. Kjo mbrëmje do të mbetet e paharruar për ne. Na nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe zv/kryetari i LSI-së z. Petrit Vasili, i cili na përcolli përshëndetjet më të zjarrta të kryetarit Ilir Meta, që na vlerësoi për punën që po bëjmë dhe që duhet ta çojmë deri në fund. Ta kurorëzojmë me fitoren në 2013. Funksionimi i degës tonë po bëhet shembull për mënyrën e funksionimit në degët e LSI-së në Shqipëri. Synimi ynë është që LSI-ja të shtrihet në gjithë Greqinë, duke mbledhur rreth vetes të gjithë emigrantët të besojnë tek ne. Të besojnë në një mënyrë qeverisje ndryshe nga të tjerët, një mënyrë qeverisje që ka në bazë respektimin e të gjithë shtresave dhe vlerësimin e emigrantëve, si një shtresë që luan dhe do luajë një rol të pazëvendësueshëm në politikën dhe qeverisjen e Shqipërisë. Të arrijmë synimin tone në integrimin e Shqipërisë në Evropën e Bashkuar.