LRI-ja është forca rinore politike më e fuqishme dhe më energjike edhe në emigracion

111

 Flet kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Dega Athinë  z.Enea Rrapo

Në intervistën  e dhënë për gazetën “Telegraf” nga kreu i LRI-së, Enea Rrapo mëson për punën e mirë që bëhet në këtë strukturë të rinisë të LSI-së, aq sa brenda një viti janë anëtarësuar mbi 500 të rinj dhe të reja, kryesisht studentë që vazhdojnë mësimet në universitetet e Athinës. Një lëvizje që po i jep gjithnjë e më shumë gjallëri dhe gjak të ri kësaj strukture, e cila ka ditur të mbajë nga afër emigrantët. Arsyeja pse ai zgjodhi të jetë anëtar i kësaj strukture ishte sepse beson se është e vetme forcë politike në Shqipëri që i jep më shumë mbështetje rinisë sesa çdo strukturë tjetër në Shqipëri. Gjithashtu, ai mendon se LRI-ja është forca rinore politike më e fuqishme, më e vrullshme, më energjetike edhe në emigracion, është ajo forcë ku çdo i ri gjen vetveten e tij. Konkretisht është e vetmja parti parlamentare që në emigracion ka hapur me dhjetëra shkolla shqipe. Një shembull që duhet të ndiqet nga partitë e tjera parlamentare, të cilat dine të bëjnë opozitë vetëm në kurriz të emigrantëve, si dhe kujtohen për ta vetëm kur vjen fushata elektorale, se sa të shpenzojnë pak kohë të merren me hallet dhe problemet e emigrantëve.

 -Zoti Rrapo, kur është krijuare lëvizja rinore LRI-ja në Athinë?

– LRI-ja në Athinë u krijua në nëntor të 2011-s në një kohë që u zhvilluan zgjedhjet në strukturat e Degës sëLSI-së në Athinë. Dega e LRI-së nuk ka ekzistuar më parë kuptohet që gjithçka nisi nga fillimi. Fillimi ishte i vështirë për shkak se ishte një nismë e re dhe që kërkonte shumë për të arritur synimet tona. Shumë shpejt për këtë qëllim ne vumë në dispozicion edhe një zyrë me të gjitha mjetet e nevojshme

– Përse ju zgjodhët pikërisht LSI-në e LRI-në?

– Arsyeja kryesore që zgjodha LSI-së ishte pasi është e vetmja forcë politike në Shqipëri që i jep shumë mbështetje të rinjve, si dhe baza më e fuqishme e saj është rinia. LSI-ja është një forcë politike që i jep mbështetje të fortë të rinjve shqiptar jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj.  Këtë e kemi vënë re dhe përgjatë më shumë se një viti pune këtu në Athinë, mbështetja, ndihma dhe këshillat nga strukturat qendrore të partisë nuk kanë munguar kurrë. Mendoj se LRI-ja është forca rinore politike më e fuqishme, më e vrullshme dhe më energjike në Shqipëri, është ajo forcë, ku çdo i ri gjen vetveten e tij. Në kushtet e sotme del që integrimi është domosdoshmëri adekuate e Shqipërisë, nisur kjo dhe nga vetë emri i kësaj force.

– Si paraqitet kjo lëvizje në krahasim me një vit me parë?

– Në Lëvizjen tonë bëjnë pjesë aktualisht 500 të rinj dhe te reja, ku kryesisht bëjnë pjesë studentë që studiojnë në universitetet në Greqi, po ashtu dhe të rinj që kanë mbaruar studimet e larta dhe nuk mungojnë as gjimnazistët që përbëjnë moshën më të re. Kjo lëvizje paraqitet më e forte se kurrë ndonjëherë tjetër, duke mos patur asgjë të përbashkët me një vit më pare, pasi nga dita në ditë numri i anëtarësimeve sapo vjen dhe po rritet.

– Cili është kontributi juaj si LRI?

– Synimi jonë kryesor ka qenë dhe mbetet afërsia jonë më të rinjtë emigrantë, për të qenë sa më pranë tyre për të shtruar, diskutuar dhe zgjidhur hallet, problemet dhe nevojat e tyre. Në fillim puna jonë ka qene shumë e vështirë për shkak se të rinjtë emigrantë janë në shumicën e rasteve të zhgënjyer nga politika shqiptare. Ne jemi munduar që në fillimet tona për ta ndryshuar këtë mentalitet për t’i bindur të rinjtë të bëhen pjesë e jona dhe të kuptojnë së çfarë vlerash ka LRI-ja dhe se çfarë përcjell ajo në të vërtetë ndryshe nga forcat e tjera politike

– Jeni i kënaqur me punën e deritanishme dhe çfarë mendoni se ju ka mbetur pa kryer akoma?

– Deri tani jemi shumë të kënaqur me punën e zhvilluar nga të rinjtë dhe të rejat e forcës tonë. Kemi dëshmuar që edhe pse larg atdheut, ne dimë të jemi të bashkuar dhe sa më pranë njeri-tjetrit. Gjatë muajve të fundit kemi punuar të gjithë për ngritjen e një platforme për të rinjtë emigrantë në Greqi. Platformë që shumë shpejt do të bëhet publike, e cila përmban të gjithë problematiken, që kërkon zgjidhje për të rinjtë shqiptarë këtu në Greqi. Kemi dhe shumë punë për të kryer përpara,  Përditë dalin probleme të ndryshme po ashtu dhe ide të reja që kërkohen të vihen në zbatim, puna dhe energjia e të rinjve nuk mbarojnë kurrë.

– Si i prisni zgjedhjet e 23 Qershorit?

– Zgjedhjet e 23 qershorit të 2013 do të jenë një test i vërtetë për ne. Në këto zgjedhje parlamentare do të provohet dhe testohet puna dhe forca jonë. Siç dihet, na ndajnë dhe pak muaj nga kjo datë dhe ne po përgatitemi të mobilizojmë te rinjtë. I ftojmë ata të jenë pjesë e jona për t’u bërë një zë i përbashkët, sepse vetëm kështu do jemi të fuqishëm dhe kështu do të realizojmë ëndrrat tonë të përbashkëta.