Londra organizon takimin e radhës të “Ballkanit Perëndimor”

465
Londra do të jetë këtë vit mikpritëse e takimit të pestë më radhë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të Berlinit, që u hap në vitin 2014 nga Gjermania për të demonstruar përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj aspiratave të rajonit për anëtarësim.
Kjo u bë e ditur në një raport të publikuar të mërkurën nga Komisioni për marrëdhënie ndërkombëtare i dhomës së lartë të Parlamentit britanik, me titull “Mbretëria Bashkuar dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor”.
Raporti i gjatë përmend konfliktet e shekullit të kaluar në Ballkan që siç thuhet kanë përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar.
“Ai është një rajon që, në shumë aspekte, mbetet në hijen e luftërave të viteve 1990. Ndërsa shumë nga fqinjët e tij kanë përparuar, paqëndrueshmëria politike, tensionet ndëretnike dhe ndikimi i vendeve të treta kanë ngadalësuar përparimin drejt pajtimit rajonal dhe bashkërendimit më të madh me pjesën tjetër të Evropës. Rajoni vuan nga udhëheqje autoritare, institucioneve të dobëta demokratike dhe sfida serioze nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Kjo situatë përkeqësohet nga pasiguria në lidhje me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ikja e trurit, dhe një rritje ekstremizmit dhe nacionalizmit anti-demokratik”.
Raporti thekson se këta faktorë e bëjnë rajonin të rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht ndryshimeve të marrëdhënieve të saj me BE-në.
“Ne kemi interes për të mbështetur qëndrueshmërinë dhe përparimin në rajon, jo vetëm për të shmangur përsëritjen e tragjedive dhe tmerreve të viteve të 90-ta dhe si pjesë e angazhimit tonë më të gjerë për paqen dhe qëndrueshmërinë në Evropë”.
Raporti thekson se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Shqipëria e Mali i Zi tashmë janë anëtare të NATO-s, ndërsa Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova synojnë NATO-n, ndonëse secila përballet me sfida serioze. Serbia aktualisht nuk synon NATO-n por merr pjese në stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe të mbrojtjes civile.
Megjithatë, thuhet në raport, ka shqetësime të mëdha se “arritjet drejt qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, kërcënohen të humben derisa vendet e rajonit po rrëshqasin drejt udhëheqjeve autoritare, politikave nacionaliste dhe ‘kapjes’ së shtetit. Kjo po përkeqësohet nga një mosgatishmëri nga ana e komunitetit ndërkombëtarë për të sfiduar këto tendenca dhe nga krimi i organizuar dhe korrupsioni endemik në rajon”.
Në raport thuhet se përveç afateve të anëtarësimit, vet procesi është kritikuar se nuk ka çuar drejt reformave të vërteta. “Lordi Pedy Ashdown nga Norton-subHamdon e ka përshkuar dukurinë nga periudha e shërbimit të tij si përfaqësues i lartë (në Bosnjë e Hercegovinë): Chris Patten (ish komisionari i BE-së për marrëdhënie me jashtë) kishte një frazë të këndshme. Ai thoshte: ‘Problemi me gjithë Ballkanin është se ata bëjnë sikur i zbatojnë ato që u themi dhe ne bëjmë sikur u besojmë’.”
Në raport thuhet mes tjerash se në Serbi “na është thënë se reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian, janë kryer vetëm në letër – por zbatimi i tyre nuk ka ndryshuar asgjë. Për shembull, mediet shtetërore janë privatizuar dhe janë blerë nga njerëz të afërt me partinë në pushtet, duke i lënë ato praktikisht media shtetërore”.
Raporti citon studiuesin shqiptar Dr. Andi Hoxhaj, pedagog në Universitetin Warwick, të ketë përshkuar procesion e anëtarësimit si “kuti të kurdisur që nuk ushtron një ndikim afatgjatë”, që do të thotë se “procesi i përafrimit me BE-në nuk është i lidhur me përparimin për demokratizimin e rajonit”.
Raporti vë në pah se qëndrueshmëria në rajon është penguar edhe nga ndërhyrjet nga vendet e treta, duke theksuar “shqetësimet se roli i Rusisë në rajon është thjeshtë një ‘fre’ që synon të pengojë çdo integrim më të ngushtë me perëndimin. Kina ka investuar në rajon, gjë që është mirëpritur nga disa si burim thelbësorë për infrastrukturën dhe industrinë. Por është e rëndësishme që niveli i borxhit të një rajoni tashmë të varfër të mos rritet. Vende të tjera, si Turqia, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë interes në rajon, me mundësi që të prishin marrëdhëniet tashmë të brishta ndërmjet shteteve dhe ndërmjet komuniteteve në rajon”.
Raporti vë në pah se organizimi i konferencës për Ballkanin Perëndimor është një mundësi që Mbretëria e Bashkuar të dëshmojë se nuk po e braktisë Evropën ndërsa largohet nga Bashkimi Evropian.
Sigal