Lista Srpska-Thaçit: Nuk kemi interes të flasim për ushtrinë e Kosovës

498
Lista Srpska nuk do të pranojë që të bisedojë me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin rreth ndryshimeve kushtetuese përmes së cilës mundësohet transformimi i FSK-së në ushtri. Këta të fundit, pas kthimit të tyre në institucione të vendit të cilat i bojkotuan për më shumë se 5 muaj, kanë pranuar që të kthehen dhe ta votojnë Demarkacionin me kusht që Qeveria e Kosovës ta fillojë themelimin e Asociacionit.
Mirëpo një veprim të ngjashëm Lista Srpska nuk do ta bëjë me ushtrinë. Ata nuk po shprehin gatishmëri që të lejojnë ndryshimet kushtetuese dhe t’i hapin rrugë themelimit të ushtrisë. Deputeti i Listës Srpska Nenad Rashiç tha të premten për Express se nuk është interes i tyre që të bisedohet për ndryshime kushtetuese. Ai, nismën e Presidentit që ta bëjë ushtrinë përmes ligjit e quajti nguti në improvizim.

“Pas ngutjes në “improvizim” të Presidentit Thaçi dhe mesazhet e qarta sa i përket ushtrisë nga ana e SH.B.A-së dhe BE-se, nuk besoj që është në interes strategjik të bisedohet për ndryshime kushtetuese”, u shpreh Rashiç për Express. Presidenti i Kosovës, pas kundërshtimeve të shumta nga ndërkombëtarët për formimin e ushtrisë, në deklaratën e tij të fundit tha se transformimi i FSK-së në ushtri do të bëhet në koordinim me partnerët. Ai shtoi se ushtria do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe për diçka të tillë do ta bind Listën Srpska, vota e së cilëve është vendimtare për një gjë të tillë.
Sigal