Liderët europianë takohen në Itali, mungon Theresa May

440
Liderët e 27 vendeve të Bashkimit Europian, me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar kanë mbërritur në Romë për të marrë pjesë në festimet për 60-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Romës. Liderët u takuan paraprakisht me Papa Françeskun, teksa Ati i Shenjtë i bëri thirrje Bashkimit Europian t’i qaset të ardhmes me forca të reja. Vendet pritet të firmosin një deklaratë të re për të nderuar marrëveshjen origjinale të vitit 1957, e cila i hapi rrugën themelimit të bllokut europian. Në këtë ceremoni, 27 vendet anëtare do të rikonfirmojnë dëshirën e tyre të përbashkët për vazhdimësinë e zgjerimit dhe thellimit të unionit. Pas një dhjetë-vjeçari krizash dhe kërcënimesh në rritje, liderët europianë do të kërkojnë mënyra për të rigjallëruar projektin e tyre, ku më e rëndësishmja është gjetja e një rruge të përbashkët për të ecur përpara. Sidoqoftë, blloku përballet me sfida tepër të mëdha, si largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian. Pikërisht për këtë arsye, kryeministrja britanike Theresa May nuk do të marrë pjesë në festime, pasi ajo planifikon të nisë procesin e Brexit, javën e ardhshme.
Sigal