Liderët botërorë reagojnë për tragjedinë e Parisit

412
Tragjedia e Parisit, ku kanë humbur jetën të paktën 150 persona ka sjellë reagimin e liderëve botërorë. Më poshtë vijojnë disa prej tyre:

Presidenti amerikan, Barack Obama: Ky ishte një sulm kundër civilizimit dhe vlerave tona të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë.
Ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton: Njoftimet që vijnë nga Parisi janë të tmerrshme. Lutemi për viktimat.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk: Po ndjek I tronditur ngjarjet në Paris. Ndjenjën më të lartë të simpatisë për popullin francez.
Kryeministri britanik, David Cameron: Jemi gati për cdo ndihmë për popullin francez.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel: Të gjitha lutjet tona të shkojnë për viktimat e Parisit.
Presidenti rus, Vladimir Putin: Njoftime të tmerrshme po vijnë nga Parisi. Gjithë mbështetjen tonë për autoritetet franceze.
ARABIA SAUDITE: NGJARJA E PARISIT PËRBËN SHKELJE TË GJITHÇKAJE ETIKE, MORALE DHE FETARE
Ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir dënoi sot atentatet e Parisit duke theksuar se ngjarja tragjike përbënte një shkelje të gjithçkaje etike, morale dhe fetare.
“Dua t’i shpreh ngushëllimet qeverisë dhe popullit francez për sulmet terroriste të urryera që përbëjnë shkelje të gjithçkaje etike, morale dhe fetare”, deklaroi Adel al-Jubeir për median përpara një takimi ndërkombëtar për Sirinë, që do të zhvillohet në Vjenë.
Arriti në të paktën 150 numri i personave që humbën jetën si pasojë e sulmeve të njëpasnjëshme në afërsi të stadiumit “Stade de France” në rrugën “Charonne” si dhe në sallën e koncerteve “Bataclan”.
ROHANI DËNON ATENTATET E PARISIT DHE SHTYN VIZITËN HISTORIKE NË EVROPË
Presidenti iranian, Hasan Rohani dënoi atentatet në Francë duke i konsideruar krime kundër njerëzimit, ndërkohë që njoftoi edhe shtyrjen e vizitës historike në Evropë, që duhej të fillonte sot.
“Në emër të popullit iranian, që ka qenë dhe vetë viktimë e terrorizmit, dënoj me forcë këtë krim kundër njerëzimit dhe shpreh ngushëllimet për popullin francez dhe qeverinë e tij”, shkruan Rohani, sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve, IRNA.
Pak më vonë, ministri i Jashtëm iranian, Mohamad Javad Zarif njoftoi në televizionin shtetëror se Rohani kishte shtyrë vizitën e tij në Itali, Vatikan dhe Francë.
Presidenti iranian, Hasan Rohani do të niste sot një vizitë zyrtare në Itali dhe në Francë, e para prej 16 vitesh, që dëshmon për një përmirësim të marrëdhënieve që prej marrëveshjes bërthamore të muajit korrik.
Vizita e fundit e një udhëheqësi të shtetit iranian në Evropë daton në vitin 1999.
Reformatori Mohamad Khatami kishte zhvilluar në muajin mars një vizitë zyrtare në Romë më pas në Paris. Ai ishte në atë periudhë presidenti i parë në vizitë në Evropë që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Sigal