Liberalizimi i vizave, Çollaku: Rekomandimi ndoshta në mars

471
Ministri për Integrimin Evropian, Bekim Çollaku raportoi këtë të hënë para Komisionit Parlamentar për Integrimin në lidhje me përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave me BE-në. Çollaku tha se në muajin shkurt pret që gjatë vizitës në Prishtinë të komisionerit për Emigracionin Dimitris Avramopulos, ky i fundit të konfirmojë plotësimin edhe të 8 kritereve të dhjetorit dhe pastaj shpreson në rekomandimin pozitiv gjatë muajit mars.
“Rekomandim nuk do të ketë para vizitës së komisionerit Avramopoulos. Kjo vizitë pritet të ndodhë gjatë muajit shkurt, me siguri në gjysmën e dytë të tij. Do të ishte ideale, për të mos thënë fantastike, nëse rekomandimi do të ndodhte në muajin mars. Por ne duhet të tregohemi të përmbajtur me afatet kohore, sepse ato nuk varen nga ne. Çfarë varet nga ne e kemi bërë vitin e kaluar dhe e kemi ribërë dhe tani presim vetëm vlerësimin nga ana e Komisionit Evropian për inputin e fundit që kemi dërguar për 8 rekomandimet”, deklaroi Çollaku.
Ministri Çollaku informoi deputetët e komisionit se, pas marrjes së rekomandimit të gjithë së bashku do të zhvillojnë një seri vizitash zyrtare në disa nga vendet e BE-së për të siguruar mbështetjen e ministrave të Brendshëm. Ndalesat kryesore, sipas ministrit të Integrimit, do të jenë Gjermania dhe Franca, ku ka më së shumti azilkërkues nga Kosova. Në këtë drejtim, Çollaku u bëri thirrje qytetarëve që të mos marrin rrugën e emigrimit ilegal, pasi përveç dëmit që i shkaktojnë vetes, bllokojnë dhe procesin e liberalizimit të vizave. Çollaku po ashtu përmendi edhe çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, si një ndër kriteret që ka Kosova për heqjen e vizave. “Kosova duhet të bëjë vlerësimin e vijës kufitare dhe ta ratifikojë atë deri në verë, në të kundërt mund të ndodhë që të shtyhet data e nisjes së lëvizjes pa viza”, shtoi Çollaku.
Sigal