Lëvizja Vetëvendosje kërkon rihartim të marrëveshjes

405
Sigal

Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar një rihartim të marrëveshjes së pas zgjedhjeve të 8 qershorit në Kosovë. Ky fakt është konfirmuar nga deputeti i VV, Visar Ymeri.

“Vetëvendosje nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së 10 qershorit kur janë ndarë postet. Mirëpo do të jemi pjesë e bisedave për ta plotësuar marrëveshjen e shtatorit edhe me 2 marrëveshje të tjera:

Një për programin qeverisës të qeverisë së re dhe tjetra për postet që do të zbatojnë këtë program, përfshirë këtu edhe postin e kryeministrit”,-ka sqaruar Ymeri.

Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se Kushtetuesja ka zhvlerësuar edhe marrëveshjen e tyre, duke kërkuar kështu një të re mbi bazën e fuqive të subjekteve politike, pra të numrit të deputetëve. Kështu, Mustafa shprehet i vendosur për të mos e lëshuar postin e Kryeministrit.

Në përgjigje të kësaj deklarate, zyrtarë të AAK-së kanë reaguar duke thënë se me këtë kërkesë LDK po shkon nga PDK-ja duke shtuar se një marrëveshje e re nuk është e nevojshme. Bisedimet ndërmjet partnerëve të koalicionit vijojnë, por deri më tani nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare.