Letra e Vetonit drejtuar botës

1360
Sigal

 Ne duhet t’i mbledhim mendtë e kokës dhe të mos e tundojmë më Vetonin. Ta lëmë të qetë, për të mirën tonë, që t’i thotë “mirupafshim nesër” për çdo mbrëmje të lume mikut të tij Diellit. Vetoni e ka vendin në Qerret, sepse populli e ka dërguar atje. Kush jemi ne që ta thërrasim këtu?

Nuk pata ndjesi tjetër përveç kënaqësisë kur e pashë në mëngjes që shkëlqesia e tij, Veton Surroi, kishte denjuar të ma lakonte emrin tim, të një vdekatari, të një kurrkush hiçit, në Letrat e tij drejtuar ambasadorëve. Në fakt emrin nuk ma kishte përmendur, por vetëm mbiemrin, edhe pse edhe aq mjafton.

Nëse Vetoni të përmend diku, pa marrë parasysh kontekstin, ne të gjithë duhet të jemi të kënaqur.

Kjo është pak a shumë sikur emri yt të gjendet diku në Letrat e Apostujve drejtuar romakëve, korintasve, hebrenjve etj., etj. Në atë kohë nuk e kemi pasur fatin të jetojmë, por e kemi fatin që të jetojmë në kohën e Vetonit. Për rrethanat e Kosovës, po të isha unë dikushi në ketë vend, do të propozoja që epoka të matet me lindjen e tij: Para dhe pas Vetonit. Tash i bie që të ishim në vitin 51. Pak a shumë këto janë vitet kur apostujt filluan t’i shkruanin letrat e tyre. Ta iluminonin njerëzimin. Në anën tjetër, tash ka filluar veprimtarinë e tij, edhe Vetoni. Këto kohë mund t’i quajmë si koha e Letrave të Vetonit drejtuar Botës, drejtuar Planetit. Pra, këto janë letra që kanë peshë religjioze, por pse jo edhe shkencore. Religjioze, sepse Vetoni në to flet për drejtësi, për barabarësi dhe për humanizëm. Kurse shkencore sepse ai flet edhe për ekonomi. Në fakt ai nuk flet, sepse t’i thuash Vetonit se flet është nënçmim. Ai jep definicione. Ne të tjerët flasim dhe sillemi rreth problemeve. Vazhdojmë për ditë, javë muaj dhe vite të përpëlitemi rreth çështjeve të caktuara, derisa një ditë Vetoni vendos të na i shkurtojë dhimbjet tona dhe të na përndritë me gjithë potencën e tij intelektuale, me gjithë sharmin e tij. Kur ai flet jeta ndalet. Krijohet ndjesia – kjo madje nuk mund të quhet as ndjesi, por realitet – që asgjë nuk lëviz, madje as erërat. Dhe duke e marrë parasysh gjithë këto rrethana, e pata përshtypjen që në atë mëngjes të gjithë po më xhelozonin. Më dukej që dëgjoja shushuritje rrugëve, kah unë ecsha, sikur thoshin: “Ja ky, të cilin e ka përmendur Vetoni në shkrimin e tij”. Që të jem i sinqertë, pata menduar se Ai nuk me njeh. Nuk ma di as emrin dhe as mbiemrin. Pandehja që koka e tij, sado e madhe dhe sado gjeniale, nuk ka vend për njerëz të vegjël dhe njerëz lokalë si puna e ime. Pandehja që Ai komunikon në një dimension dhe në një nivel krejt tjetër. Me burra të shteteve, si Barack Husein Obama, Vladimir Vladimirovich Putin dhe të ngjashëm, nëse ka të tjerë si këta të dy. U mahnita kur e lexova në njërin prej vazhdimeve se si Vetoni e shikon diellin në Qerret duke perënduar. Këtu tregohet niveli i tij. Ne të tjerët diellin e shfrytëzojmë vetëm për t’u pjekur në të, si pleskavicat e Martinit. Kurse Vetoni, po më duket që po e shoh, se si i ulur në ballkonin e shtëpisë së tij, me një kapele kashte në kokë – normalisht plot shije – diku në Qerret, e merr një karrige dhe i drejtohet diellit. Ky është momenti kur hemisfera e jonë fillon ta humbasë sigurinë. Vetoni dhe Dielli do të ndahen brenda pak minutave. Ata do të bashkohen prapë të nesërmen, mirëpo pasiguria kur ata nuk e shohin njëri-tjetrin është mjaft e gjatë. Prandaj, si duket Vetoni e ka një komunikim shumë intim me diellin. Lirisht mund ta quajmë një takim kokë me kokë me diellin, prej Qerretit. Askush nuk do të duhej të guxonte, për hir të sigurisë të të gjithë neve, që gjatë kësaj kohe ta shqetësonte Vetonin, siç ka bërë Ambasadori Chris Dell, duke e joshur atë me pozita politike, që janë të paracaktuara vetëm për njerëz. Nuk e di pse të tundohej Vetoni në mënyrë kaq djallëzore dhe për çështje kaq njerëzore. Ky do të duhej të ishte arma e jonë rezervë, që nuk përdorët çdo ditë. Ne do të duhej të luftonim me Vetonin vetëm kur rrezikohet raca e jonë, soji ynë. Kurse letrat e tij unë i shoh në ketë dritë. Ai tash ndihet me ndërgjegje të plagosur, se si u tundua për pozita politike. Unë e shoh më shumë si një vetëreflektim të tij dhe letrat e tij janë një shpërthim, janë një stuhi tropikale verore, në kontekstin intelektual dhe, ta quajmë kushtimisht, në kontekstin gjysmë-njerëzor, gjysmëperëndi. Prandaj, ne duhet të mbledhim mendtë e kokës dhe të mos e tundojmë më Vetonin. Ta lemë të qetë, për të mirën tonë, që t’i thotë “mirupafshim nesër” për çdo mbrëmje të lume mikut të tij, Diellit.

Vetoni e ka vendin në Qerret, sepse populli e ka dërguar atje.

Vijon nesër: Si kishte shpërthyer Vetoni intelektualisht edhe në vitin 1986, në gazetën “Rilindja”? Çka shkruan Vetoni në letrat e tij të vitit 1986? Çka është, sipas Vetonit, e Djathta Borgjeze? Në çfarë mënyrë, sipas Vetonit, e Djathta Borgjeze e përdor shtizën nacionaliste për thyerjen e sistemit jugosllav? Si po e rrezikonte, sipas Vetonit, Millovan Gjillasi, sistemin njëpartiak jugosllav, duke e kërcënuar atë me konkurrencë të lirë politike? Pse, sipas Vetonit, MASPOK-u kroat, liberalizmi serb, “afera e rrugëve” sllovene dhe demonstratat e 81’tes në Kosovë kanë primesa të borgjezisë së djathtë?

 

*Autori është: Deputet i PDK-së në Parlamentin e Kosovës. Qëndrimet e shprehura në këtë kolumne, janë personale. Dhënë për “Exspress” të Kosovës