Letra e Donald Trump, drejtuar gazetës “Illyria” : Kam dëgjuar vetëm gjëra të mira për Shqipërinë

540
Sigal

Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duket se ka dëgjuar për Shqipërinë. Gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” shkruan se Donald Trump do të merrte pjesë në festën e 20-vjetorit të themelimit e kësaj gazete, në New York.

Sipas Gazeta Illyria rastësia e deshi që dita e festës të binte në të njëjtën datë me atë të finales së shfaqjes televizive “The Apprentice”, e cila e bëri të famshëm në të gjithë Amerikën, bosin e pronave të patundshme njujorkeze.

“I dashur Vehbi, të falenderoj që më ke ftuar”, i drejtohet ai me një letër personale botuesit të gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”. “E vlerësoj shumë ftesën dhe më bëhet qejfi nga gjesti juaj për të më nderuar me një çmim”.

“Kam dëgjuar vetëm gjëra të mira për Shqipërinë, sidomos që është një vend shumë i bukur”, thotë presidenti i ardhshëm i Amerikës. “më vjen keq që nuk do të kem mundësinë që t’ju bashkohem për një ngjarje kaq të shënuar…”

Në 22 maj, 2011, gazeta “Illyria” festoi 20-vjetorin e themelimit të saj. Vehbi Bajrami është tashmë botues i gazetës që prej 10 vitesh.

E botuar në, New York City, me abonim në të 50 shtetet e Amerikës, “Illyria” ka luajtur një rol të madh në sensibilizimin e politikës dhe diplomacisë amerikane për çështjen shqiptare, në veçanti Kosovën dhe trojet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë.