Kuvendi i Kosovës diskuton sot për korrigjimin e kufijve

462
Sigal

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në orën 10:00 në një seancë të jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, apo “korrigjimin e kufijve”.

Me vetëm një pikë të rendit të ditës opozita synon që të ndalojë presidentin Hashim Thaçi që temë të dialogut ta ketë edhe territorin e vendit.

LDK që ka nisur kërkesën për seancë të jashtëzakonshme po ashtu kërkon që të miratohet një rezolutë e cila do ta ndalonte presidentin të flasë për territorin me shtetin serb.

Thaçi muajt e fundit ka prezantuar idenë e njohur tashmë si “korrigjimi i kufijve”, e cila sipas tij mundëson bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Për këtë ka pasur kritika jo vetëm nga partitë opozitare, por edhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar si dhe ndërkombëtarët kanë shprehur shqetësime.

Pas përfundimit të këtij debati, Kuvendi do të vijojë punimet, përkatësisht, votimin e pikave të mbetura nga seancat e nisura më, 13 dhe 14 shtator, si dhe të asaj më 15 tetor, për të vijuar më pas, edhe me vazhdimin e seancës së 18, 19 dhe 25 tetor.