Kuvendi i Kosovës, Dënimet në çështjen “Drenica”, a rrezikohet votimi i Gjykatës Speciale?

432
Dënimi i grupit të Drenicës një ditë më parë, ku disa prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u shpallën fajtorë për krime të kryera gjatë luftës së Kosovës, ka ngritur dyshime mbi votimin të premten në parlament të amendamenteve që do t’i hapnin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.
Që në fjalën e parë gjatë hapjes së seancës parlamentare, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka quajtur një ngjarje të rëndë vendimin e marrë një ditë më parë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media ka thënë se vendimi i gjykatës është i papritur, pasi pastërtia e Luftës së Kosovës është vërtetuar edhe në Hagë.
Për të kaluar një amendament kushtetues, Kushtetuta e Republikës së Kosovës kërkon që të votojnë pro të paktën 80 nga 120 deputetë.
Përveç 31 deputetëve të opozitës, në Kosovë flitet se numri i deputetëve të PDK-së që do t’i thonë jo është më i lartë sesa katër që janë deklaruar hapur kundër, siç janë Ganimete Musliu, Fadil Demaku, Nait Hasani dhe Nuredin Lushtaku, ndërsa ende mbetet e paqartë si do të votojë Flora Brovina.
Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se vendimi i Gjykatës është i padrejtë, ndërsa deputeti i pavarur, Gëzim Kelmendi pranon se do të votojë pro të premten për të mirën e Kosovës.
Selimi: “ Ky zinxhir do duhej të këputet në një nga hallkat dhe hallka kryesore nuk është dje, është nesër. Ku pritet të vazhdohet padrejtësia ndaj luftës së drejtë të popullit shqiptar të Kosovës dhe padrejtësia ndaj qytetarëve dhe interesave të shqiptarëve”.
Kelmendi: “Unë si deputet i pavarur do ta votoj Gjykatën Speciale. Janë shumë arsye që më kanë shtyrë ta votoj, kryesorja është e ardhmja e këtij vendi, e ardhmja e qytetarëve të Kosovës”.
Nëse Kuvendi miraton ndryshimet kushtetuese, atëherë hapet “drita jeshile” për themelimin e dhomave të specializuara që do të gjykojnë krimet e pretenduara të kryer nga drejtuesit e UÇK-së gjatë luftës.
Ndërkohë që do të mbahet seanca parlamentare, në Prishtinë disa organizata veteranës të luftës së Kosovës do të protestojnë kundër miratimit të ligjit.
Të mërkurën, një gjykatë në veriun e Mitrovicës dënoi me 12 vjet burg Sami Lushtakun, aktualisht kryetar i komunës së Skenderajt, ndërsa me 6 vjet ish-Ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Sulejman Selimi, i cili gjatë një periudhe të luftës ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sigal