Kurti dhe Haxhiu festojnë festat në shtëpi, ndryshon masa e sigurisë

445
Deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu lënë qelitë e paraburgimit.
Vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpiak është marrë sot nga kolegji prej tre gjyqtarësh i Gjykatës Supreme. “Gjykata Supreme duke vendosur lidhur me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtësve të të pandehurve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, ka aprovuar pjesërisht kërkesën dhe ka ndryshuar aktvendimin e formës së prerë, ashtu që ndaj të pandehurve ka ndërprerë masën e paraburgimit dhe u ka caktuar arrest shtëpiak”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës. Sipas Gjykatës Supreme, të pandehurit Albin Kurti, masa e arrestit shtëpiak do t’i zgjasë deri me datën 28.12.2015, ndërsa të pandehurës Albulena Haxhiu, masa e arrestit shtëpiak do t’i zgjasë deri me datën 07.01.2016.

Faton Topallit dhe Ismajl Kurteshit u refuzohen ankesat
Ndërkohë një kolegj penal prej tre gjyqtarësh nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit, me anë të dy vendimeve të ndara, sot ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit, prej një muaji, ndaj të pandehurve Faton Topalli dhe Ismajl Kurteshi. Në njoftimin e Gjykatës, në të dy rastet Gjykata e Apelit, gjeti se gjykata e shkallës se parë, ka vepruar drejt kur të pandehurve në fjalë, u ka caktuar masën e paraburgimit, si në aktvendimete datës 14 dhjetor të këtij viti, pasi që ata, siç del nga shkresat e lëndës, e kanë thyer masën e arrestit shtëpiak.
Sigal