Kur demokracia mirëfunksionon! Kandidat për president i Greqisë, ish ministri i qeverisë së djathtë

543
Sigal

Menjëherë, pasi Greqia nuk pranoi kushtet e memorandumit ekonomik, që i ka kushtëzuar Trojka qeverive të mëparshme greke dhe nuk u arrit të nënshkruhet një marrëveshje e re në Bruksel, midis Greqisë dhe BE-FMN-BQE, kryeministri i së Majtës radikale greke, Cipras, propozon për president të Greqisë, ish ministrin e Nea Dhimokratia, Prokopis Pavlopullos. Qëllimi nuk është thjesht që kandidatura për president i Greqisë të marrë shumicën absolute të votave në Parlamentin grek, por në demokracinë greke është praktikë institucionale dhe kushtetuese, që institucionet e Presidencës, Qeveria dhe Parlamenti në Greqi respektojnë njëra-tjetrën. Në këto 41 vjet, kur u rivendos demokracia në Greqi, asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë konflikte politike publike midis këtyre institucioneve, asnjëherë nuk ka ndodhur që Presidenti i Greqisë të mos dekretojë ndonjë ligj që ka miratuar Parlamenti grek, apo parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit. Kjo dëshmon që atje demokracia mirëfunksionon. Presidenti i Greqisë, gjithnjë është zgjedhur me konsensus të gjerë politik, madje, sa herë që në qeverisje ka qenë e majta greke (PASOK dhe tani SYRIZA), është zgjedhur president një figurë e së djathtës, Stefanopullos e mandate, ndërsa qeveria e Karamanlis zgjodhi 2 mandate Karolos Papulas, ish ministrin e Andrea Papandreut. Ndërsa në Shqipëri, në këto 24 vjetët e tranzicionit, ngërçi më i madh dhe i pazgjidhshëm ka mbetur konflikti i hapur institucional Presidencë-Qeveri dhe Parlament. Ky konflikt,i cili perceptohet vetëm me ngjyrime politike, shpreh haptas dominimin të interesave politike të çastit, të një force politike, e cila në moment të caktuara ka shumicën e kartonëve në Parlament, ( qeveria), ndaj atij institucioni kushtetues (presidenti i Republikës), duke shkallmuar dhe rrezikuar sa herë funksionimin e vetë demokracisë. Pasojë e këtyre konflikteve politike të përhershme, janë: nuk miratohen dhe nuk dekretohen ligje, nuk funksionojë institucionet, aludohen politika, humbet mirëbesimi politik dhe qytetar ndaj vetë institucioneve kushtetuese dhe shumë herë, janë denigruar edhe personalitete, të cilat kanë qenë viktima politike të këtyre konflikteve institucionale. Politika jonë nuk duhet të shpikë modele kushtetuese, apo qeverisjeje, derisa demokracia është e hapur dhe përvoja është e pasur, që të ndërtojë edhe në Shqipëri një demokraci funksionale në shërbim të qytetarëve dhe progresit të Shqipërisë. Por, gjithashtu, politika jonë, nuk mund të ndërtojë modele institucionale dhe qeverisjeje vetëm e vetëm në shërbim të interesave partiake të çastit, jashtë modeleve, (që janë ndërtuar deri tani), të mirëfunksionimit të demokracisë në vendet me kulturë të lartë demokratike. Këtu e ka shpjegimin pse Shqipëria ende është në tranzicion politik dhe këtu duhet gjetur edhe zgjidhja e integrimit të Shqipërisë në Familjen Europiane. Nuk ka dhe aq shumë rëndësi, cila formulë demokratike e zgjedh Presidentin, populli apo Parlamenti, me ose pa votë të cilësuar. Nuk bëhet fjalë se Kushtetuta jonë ka boshllëqe kompetencash të institucioneve kushtetuese. Mungon thjesht dëshira dhe vullneti e forcave dhe palëve politike për të bashkëpunuar me njëra-tjetrën, edhe kur bëhet fjalë për çështje të mëdha kombëtare.

Jakup B. GJOÇA