Kumanovë/ Kreu i opozitës, Zaev takon banorët e lagjes së “Trimave”, përforcime në kufi me Maqedoninë

466
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ka vizituar sot qytetarët e Kumanovës, për të parë nga afër situatën e shkaktuar nga sulmet e dy ditëve më parë, në të cilën humbën jetën të paktën 22 persona. Në këtë takim kryekomunari është shoqëruar nga sekretari gjeneral Oliver Spasovski, ku sipas mediave takimet po zhvillohen në tregun e gjelbër në Kumanovë, konkretisht në Lagjen e “Trimave”.Pas përleshjes dy ditëshe, lagja e Trimave të ofron një pamje të tmerrshme. Shtëpi të shkatërruara,rrugë të mbushura me gëzhoja plumbash, erë baruti dhe erë mbeturinash si dhe dëme të tjera materiale. Banorët kanë vizituar dhe parë me lotë në sy shtëpitë e tyre, ndërsa ata që u janë dëmtuar plotësisht shtëpitë informohet se janë strehuar jashtë vendit.
Nga ana tjetër banorët apelojnë duke shprehur shqetësime që të zbardhet gjithçka që lidhet me dëmin që pasoi dhe skenarin që ndodhi në vendbanimin e tyre.
Nga ana e saj Kosova dhe Serbia kanë angazhuar forca të shumta sigurie në pikat kufitare me Maqedoninë pas asaj që ndodhi në Kumanovë. Forca të shumta të njësisë speciale të Kosovës janë vendosur në pikën kufitare të Kosovës me Maqedoninë. Ngjarjet e ndodhura në komunën e Kumanovës në Maqedoni kanë detyruar qeverinë e Kosovës të forcojë me trupa pikën kufitare.
Forcat Speciale ROSU të ndarë në dy grupe, janë vendosur në Hanin e Elezit dhe në pikën kufitare që lidh Kosovën me Serbinë e Maqedoninë, në komunën e Gjilanit. Policia do të monitorojë kalimet në kufi pas raportimeve se disa qytetarë të Kosovës kanë marrë pjesë në luftimeve në Kumanovë ndaj forcave të UËK-së atje.
Ndërkohë masa të shumta për forcimin e pikës kufitare me Maqedoninë ka marrë edhe shteti Serb. Në kufirin e Serbisë me Maqedoninë janë vënë forca të shumta të ushtrisë Serbe, të cilat janë të gatshme që në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera të sigurisë të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Kështu është shprehur ministri serb i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiç, gjatë një vizite që zhvilloi mbrëmjen e djeshme në bazën “Cvore”, në kufi me Maqedoninë.
Sigal