Kuçi: Fuqizim të marrëdhënieve Kosovë-Gjermani në fushën e drejtësisë

438
Ministri kosovar i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, po qëndron në një vizitë dyditore në Republikën Federale të Gjermanisë, ku nesër pritet të takohet me homologun e tij, Heiko Maas, ku do të nenshkruhet edhe protokollimi i marrëveshjes së bashkëpunimit juridik për çështje penale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë që është parafuar sot. Kjo marrëveshje ndërshtetërore është e natyrës së veçantë, pasi përfshin rregullimin e pesë fushave: ndihmën e ndërsjellë juridike, ekstradimin, transferimin e personave të dënuar, luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Me këtë marrëveshje palët marrin përsipër ofrimin e ndihmës së ndërsjellë juridike në procedurat penale që janë duke u zhvilluar para organeve gjyqësore të vendeve nënshkruese të kësaj marrëveshje. Në Berlin, ministri Kuçi është pritur sot nga Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë, Christian Lange dhe përfaqësuesin nga Ministria e Punëve të Jashtme, Gotz Schmindt – Bremme.
Ministri Kuçi dhe Sekretari Lange, gjatë këtij takimi kanë diskutuar për avancimin e mëtejshem të bashkëpunimit juridik mes dy shteteve, avancimin e Kosovës në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe anëtarësimin e Kosovës dhe qasjen e saj në mekanizmat ligjor ndërkombëtar. “Anëtarësimi i Kosovës në nismat ndërkombëtare dhe rajonale për të koordinuar veprimet e prokurorive dhe gjykatave, me qëllim të luftimit të krimit, është në interes të të gjithë rajonit, ngase krimi nuk njeh kufij dhe kërkon trajtim të përbashkët. Prandaj, kërkesa e Kosovës që t´i bashkohet nismave ndërkombëtare si një anëtare e barabartë është në të mirën e të gjithë rajonit dhe jo vetëm Kosovës”, u tha gjatë këtij takimi, sipas njoftimit të Ministrisë kosovare dërguar nga Berlini.
Ministri Kuçi gjithashtu ka vizituar Parlamentin Gjerman, ku ka diskutuar me deputetë për arritjet dhe sfidat e Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit. Ministri Kuçi, para deputetëve të Parlamentit Gjerman, ka shtjelluar prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me ç’rast ka theksuar fuqizimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian. “Republika e Kosovës e konsideron Gjermaninë si një shtet mik, shtytës kryesor në konsolidimin e mëtutjeshëm të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar dhe në procesin e integrimit evropian”, ka thënë Kuçi.
Sigal