Ku janë armët bërthamore të botës?

715
Pentagoni ka paralajmëruar se dëshiron të rindërtojë arsenalin bërthamor të SHBA-së dhe të ndërtojë bomba të reja me rendiment të ulët, kryesisht si përgjigje ndaj kërcënimit nga Rusia.
Ekspertët kanë shqyrtuar se ku ndodhen armët bërthamore në botë dhe kush i zotëron ato.

Ndërsa rezervat globale të armëve bërthamore janë zvogëluar ndjeshëm që nga Lufta e Ftohtë, ka qindra raketa që mund të lançohen në një kohë të shkurtër dhe ekspertët thonë se çdo komb i armatosur bërthamor po modernizon arsenalin e tij ose ka plane për ta bërë këtë.

Shtetet i mbajnë sekret shumicën e detajeve të armëve të tyre bërthamore por dihet që 9 vende zotërojnë më shumë se 9,000 armë bërthamore që janë në shërbimin ushtarak. Këto armë janë të montuara në raketa tokësore ose detare dhe të mbajtura në bazat ajrore – ose në depot e armatimeve. Rreth 1800 armë janë në gatishmëri të lartë dhe mund të lançohen me paralajmërim të vogël.

SHBA dhe Rusia zotërojnë shumicën dërrmuese të armëve bërthamore në botë, në total pothuajse 15,000 sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stokholm. Ka një rënie domethënëse që nga vitet ’80 kur numri i tyre arrinte në 70,000.

Që në 1970, 190 vende, përfshirë SHBA-në, Rusinë, Britaninë e Madhe, Francën dhe Kinën, iu bashkuan Traktatit të Mospërhapjes së Armëve. India, Izraeli dhe Pakistani nuk e nëshkruan asnjëherë marrëveshjen dhe Koreja e Veriut u largua në 2003. Traktati i Mospërhapjes së Armëve njeh 5 shtete që kanë armë bërthamore – SHBA, Rusia, Franca, Britania e Madhe dhe Kina- të cilat kishin testuar armë bërthamore para se marrëveshja të hynte në fuqi.

Sipas marrëveshjes, këto vende nuk duhet të mbajnë një arsenal përgjithmonë. Traktati ndalon shtetet që nuk janë njohur të zhvillojnë armë bërthamore, Afrika e Jugut dhe vendet e ish Bashkimit Sovjetik, Bjellorusia, Kazakistani dhe Ukraina kanë hequr dorë nga të gjitha armët.

Sa progres po bëjnë vendet për çarmatimin?
SHBA, Britania e Madhe dhe Rusia kanë reduktuar sasinë e raketave, Izraeli dhe Franca thuhet se kanë mbetur relativisht të pandryshuara, dhe Kina, Pakistani, India dhe Koreja e Veriut besohet se po prodhojnë më shumë armë, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë. Por të paktën, ekspertët thonë se çdo shtet i armatosur bërthamor ka plane për të modernizuar rezervat bërthamore, megjithëse modernizimi është në kundërshtim me Traktatin e Mospërhapjes së Armëve.

Britania e Madhe po planifikon të zëvendësojë flotën e saj të nëndetëseve të armatosura bërthamore Vanguard, ndërsa arsenali i saj do të reduktohet në 180 armë deri në 2025.

SHBA mund të shpenzojë më shumë se $ 1 trilion deri në 2040 për të përmirësuar aftësitë bërthamore. Disa nga raketat e Amerikës mund të gjenden nëpër Evropë, në Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Turqi.

Sakaq Koreja e Veriut kreu testin e gjashtë bërthamor në shtator të vitit të kaluar dhe muajt e fundit ka treguar se ka avancuar raketat me rreze të gjatë veprimi.

Në korrik të 2017 më shumë se 100 vende nënshkruan një traktat të OKB-së për ndalimin e plotë të armëve bërthamore, megjithatë shtetet e armatosura bërthamore bojkotuan negociatat.
Sigal