Kryeministrja britanike: Rusia po mbjell kaos në shoqëritë perëndimore

713
Pas pretendimeve të Uashingtonit se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, edhe Londra i bashkohet valës së akuzave. Kryeministrja britanike Theresa May ka iniciuar ndoshta sulmin më të fortë të saj ndaj Rusisë, duke akuzuar Moskën se ka kryer spiunazh kibernetik dhe ka ndërhyrë në zgjedhjet e vendit. 
Duke iu drejtuar liderëve të biznesit në një banket në Londër, kryeministrja tha se qeveria e Vladimir Putin po përpiqet “të vendosë në rrezik shoqëritë e lira”. Sipas zonjës May, Moska po “përhap lajme të rreme” për “të mbjellur mosmarrëveshje në Perëndim”.
Sidoqoftë, kryeministrja shtoi se teksa Mbretëria e Bashkuar nuk do “përballje të përhershme”me Rusinë, vendi do të mbrojë interesat kombëtare. May nuk mohoi se Rusia mund të jetë një partnere e vlefshme për Perëndimin në rast se luan sipas rregullave. 
Deklarata e fortë e kryeministres vjen vetëm një muaj para vizitës së planifikuar në Rusi të Sekretarit të Jashtëm Boris Johnson. Ky i fundit ka këshilluar një politikë britanike vigjilente por të angazhuar në lidhje me Rusinë, pas dekadash të tëra marrëdhëniesh të tensionuara mes palëve.
Komentet e ashpra të zonjës May janë në kontrast të plotë me deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili javën e kaluar shprehu besimin se qeveria e Putin nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet e 2016. Agjencitë amerikane të inteligjencës akuzojnë Moskën se ka ndikuar rezultatin e votimeve në favor të zotit Trump, çështje që po hetohet zyrtarisht nga Uashingtoni.
Sigal