Kryeministrja britanike: Na duhet marrëveshje ose Brexit anulohet

395
Sigal

Kryeministrja britanike Theresa May i bëri apel politikës për arritjen e një marrëveshje për Brexit, në të kundërt sipas saj, pasojat do jenë të rënda për vendin.

Teksa vijon të negociojë me Laburistët për një marrëveshje për mënyrën e daljes nga BE-ja, May tha se Britania e madhe duhet të ketë një marrëveshje ose Brexit mund të rrëshqasë nga duart.

“Meqenëse parlamenti e ka bërë të qartë se do të ndalojë që Mbretëria e Bashkuar të largohet pa një marrëveshje, ne tani kemi një zgjedhje të zymtë: të votojmë një marrëveshje për largimin, ose të gjejmë një dakordësi për të qëndruar në union, duke anuluar Brexit”, tha May.

Kryeministrja britanike nuk ngurroi të çojë edhe një tjetër sinjal te laburistët, duke thënë se sa më shumë të zgjatë periudha pa marrëveshje, aq më shumë rriten shanset që vendi të mbetet në union.

Brukselit i mbetet gjithnjë mbi tavolinë mundësia e largimit pa dakordësim edhe pse gjatë takimit të së shtunës, 27 ambasadorët e vendeve anëtare morën parasysh edhe gjetjen e mundësive të tjera si shtyrjen e gjatë të afatit ose daljen e shpejtë dhe fleksibël.

Procesi i stërmundueshëm i cili mund t’i kushtojë shumë vendit duket se ka arritur në një pikë kyçe ku kërkohet patjetër një zgjidhje.