Kryeministri i Kosovës: Demarkacioni mund të përfundojë në arbitrazh

181
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi duhet të zgjidhet, pavarësisht se është i vetëdijshëm se nuk pret ndonjë mrekulli.
“Për çështjen e kufirit fatkeqësisht është situatë shumë e papërshtatshme. Nuk na pëlqen që të jemi në këtë realitet, sepse është një marrëveshje që duhet arritur nga të dyja qeveritë”, tha Haradinaj, gjatë një interviste në emisionin “New Bugajski Hour”, në RTK, njofton Express.
“Në Kosovë është një pjesë e shoqërisë sonë që besojmë se është bërë gabim. Si rezultat i kësaj edhe Parlamenti është ndarë, ndaj nuk ka dy të tretat e votave”, shtoi ai. Haradinaj tha se Qeveria e ka parë krijimin e një komisioni të ri si mundësi për zbulimin e së vërtetës për demarkacionin me Malin e Zi.
“Ajo çfarë kam bërë është se nuk dua ta mbaj atje përgjithmonë, dhe të shpresoj se një ditë me ndonjë mrekulli të kemi dy të tretat”, është shprehur ai.

“Nëse mendojnë që është në rregull marrëveshja të rinegociojmë, nëse jo, mund të përfundojmë në arbitrazh”, është shprehur kryeministri kosovar.