Kryeministri Hashim Thaçi:Të reflektohet për zgjidhjen e ngërçit

453
Sigal

PRISHTINË – Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ende në postin e kryeministrit iu ka bërë thirrje për të disatën herë krerëve të tjerë politikë të reflektojnë, në mënyrë që të zgjidhin ngërçin politik në vend.
 
Në përgjigje të interesit të gazetarëve rreth situatës politike, Thaçi tha se partia e tij do të marrë nesër një vendim për hapat e mëtejshëm, duke shtuar se vetëm me marrëveshje mund të tejkalohet ngërçi disa mujor që ka kapluar vendin.
 
I pyetur rreth një marrëveshje të fshehtë të përfolur ditët e fundit në media nëse është i gatshëm t’i lëshojë postin e kryeministrit, kreut të LDK-së, Isa Mustafës, ndërsa vetë të marrë postin e presidentit me përfundimin e mandatit të Atifete Jahjagës, Thaçi është përgjigjur: “E ritheksoj PDK do të insistoj, është e nevojshme, është në kulturën tonë tradicionale si qytetarë por edhe në kulturën politike diskutimi, komunikimi, hapja e gjërave për t’u negociuar. Natyrisht se askush nuk do të mund ta realizoj 100 për qindëshin e asaj që aspiron, por ne do t’i japim frymë forcë dhe energji diskutimit për arritjen e marrëveshjes, vetëm me marrëveshje tejkalohet ngërçi”,-theksoi ai.
  
Ndërkaq, vetëm një ditë më parë lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, pas takimit me Bllokun ka hedhur poshtë zërat për ndryshim të marrëveshjes. Kreu i partisë më të madhe politike në vend ka ftuar krerët e Bllokut edhe herë të tjera për një marrëveshje që do t’i jepte fund krizës politike, por liderët e koalicionit nuk kanë pranuar të ulen në bisedime.
 
Këta të fundit kanë bërë kërkesë për thirrje të seancës, ndërkohë që kryesuesja Flora Brovina këmbëngul  se pa marrëveshje paraprake nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.
 
Ndërkaq, deri të mërkurën, paritë politike, pritet t’i dërgojnë një mesazh politik presidentes Atifete Jahjaga nëse do të reflektojnë në arritjen e një zgjidhje politike, ndonëse gjasat duken të pakta. Nëse kjo nuk ndodh, zgjedhjet e jashtëzakonshme duken i vetmi opsion.