Kryeministri grek Cipras fal energjinë elektrike dhe subvencionon qiranë e shtëpive për familjet e varfra

473
Sigal

Kryeministri grek Aleksis Cipras, në fjalimin e parë në parlamentin grek, në prezantimin e programit të qeverisjes së tij, deklaroi se masat e para të politikës sociale që do të ndërmarrë qeveria e tij do të jenë dhënia falas e energjisë elektrike për familjet e varfra, subvencionimi nga shteti i qirasë së shtëpisë për familjet që janë viktima të krizës së rëndë ekonomike greke, dhënia e shërbimit shëndetësor falas për familjet në nevojë, nuk do të nxirren në ankand apo nuk do të sekuestrohet shtëpia e parë e familjeve që nuk kanë mundësi të paguajnë huan e blerjes së shtëpisë, do të hiqet taksa e pasurisë së patundshme për banesën e parë, do të rikthehet sërish kontrata kolektive e detyrueshme, të nënshkruhet midis punëdhënësve dhe punëtorëve, do të rijepet rroga e 13-të, dhe të ardhurat personale deri në 12.000 euro nuk do të paguajnë më taksë. Pra, këto premtime elektorale të SYRIZA dhe të Cipras, po konkretizohen në politikën sociale që do të ndjekë qeveria e re, edhe pse kjo politikë sociale bie ndesh drejtpërdrejtë me marrëveshjet që kanë nënshkruar qeveritë e mëparshme greke me TROJKA. Nesër, EUROGRUP do të mblidhet urgjentisht, për të diskutuar pikërisht problemin e lindur nga qeveria Cipras për kundërshtinë e zbatimit nga ajo të politikës të shtrëngimit ekonomik, që i është kushtëzuar nga TROJKA Greqisë. Në kontrast të plotë me këtë politikë sociale të qeverisë së majtë të Ciprës, qeveria e Ramës, edhe pse është e majtë, ndoqi një politikë krejtësisht të kundër, jo vetëm me këto politika sociale në ndihmë të familjeve në nevojë, por edhe me vetë zotimet e saj elektorale. Rama edhe pse premtoi që do të ulte çmimin e energjisë elektrike, e rriti 24 %, nuk rriti rrogat, shkurtoi shumë administratën publike, kushte të vëna nga FMN-ja, rriti moshën e daljes në pension, nuk zbatoi shërbimin falas shëndetësor, sikurse u zotua, etj.