Kroacia për herë të parë në zgjedhje pas anëtarësimit në BE

480
Në Kroaci sot po mbahen zgjedhjet e përgjithshme, të parat prej se ky vend u anëtarësua në Bashkimin Evropian, në vitin 2013.
Ka vlerësime se nëse në zgjedhje fitojnë konservatorët opozitarë, atëherë mund të ndërmerren masa tejet të ashpra kundër migrantëve, që kalojnë nëpër Kroaci.
Më tepër se 300 mijë azilkërkues kanë kaluar nëpër këtë vend, prej gjysmës së shtatorit, në rrugën e tyre për në vendet e pasura të Evropës Perëndimore.
Opozita në Kroaci, Unioni Demokristian, që e udhëheq Koalicionin Patriotik, i përbërë prej nëntë partive, i ka akuzuar socialdemokratët në qeveri se janë shumë të butë ndaj migrantëve.
Unioni Demokrisitan ka kërkuar masa të ashpra, siç është angazhimi i ushtrisë dhe ndërtimi i mureve në kufirin me Serbinë, prej nga hyjnë pjesa më e madhe e migrantëve.
Hyrja e migrantëve që largohen nga konfliktet në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë, ishte sfidë për qeverinë e kryeministrit të Kroacisë, Zoran Millanoviç, por kritikët thonë se ai me shkathtësi e ka shfrytëzuar krizën për ta shmangur vëmendjen nga problemet ekonomike dhe për ta ngritur rejtingun e socialdemokratëve para votimeve.
Por, duket se asnjëri bllok nuk do ta fitoj shumicën në Parlamentin e Kroacisë me 151 deputetë, kështu që përbërja e qeverisë së ardhshme do të varet nga negociatat paszgjedhore me partitë e vogla.
Sigal