Kroacia i kërkon Sllovenisë heqjen e një pjese të gardhit

499
Kroacia i kërkon Sllovenisë heqjen e një pjesë të gardhit të përbërë nga tela me gjëmba, i cili u vendos me urdhër të qeverisë sllovene për të kontrolluar fluksin e emigrantëve. 5 automjete të forcave speciale kroate kanë mbërritur në atë pjesë ku kërkohet ç’montimi i gardhit, pasi sipas qeverisë kroate është prekur hapësira territoriale e Kroacisë. Ndërkohë që edhe në krahun slloven kanë mbërritur një sërë automjetesh që i përkasin autoriteteve vendase. Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Ranko Ostojiç, e shprehu qartë pakënaqësinë e tij.

“Po i paralajmërojmë që kanë shkelur hapësirën territoriale të Kroacisë dhe duhet që menjëherë të largojnë telat me gjemba nga ajo zonë. Nëse nuk e bëjnë do ti dërgojmë një shkresë, e më pas do të veprojmë vetë për ti ç’montuar nga aty ku janë vendosur “. Ostojiç e cilësoi ndërtimin e gardhit si një shpërdorim të ardhurash, duke e këshilluar Slloveninë të respektojë marrëveshjet e detyruara. “Më mirë se sa gardhet e përbërë nga telat me gjemba do të ishte e udhës të ndërtonin qendra pritjeje për emigrantët, duke qenë se dimri po afron. Ata po japin shembullin e gabuar duke bllokuar kufirin dhe kjo do të prodhojë efektin e kundërt pasi edhe më shumë emigrantë do ti drejtohen Sllovenisë”. Në zonën e përfolur është zhvilluar një takim i shkurtër mes autoriteteve sllovene dhe kroate, ku i është garantuar palës kroate se gjithçka do të marrë shumë shpejt një zgjidhje.

Ndërkohë Sllovenia nëpërmjet fjalëve të Sekretarit të shtetit në Ministrinë e Brendshme, Bostjan Sefiç, kërkon të bëjë të qartë se gardhi nuk është ndërtuar për të reduktuar fluksin e emigrantëve. “Po e përsëris, qëllimi nuk është bllokimi i emigrantëve për të hyrë në Slloveni. Qëllimi është që ti drejtojmë emigrantët në zonat më të përshtatshme në mënyrë që mos të shpërndahen. Synimi ynë nuk është të ndalim fluskin e emigrantëve”. Nga mesi i muajit tetor rreth 180 mijë emigrantë kanë hyrë në tokën sllovene nëpërmjet Kroacisë dhe shumë të tjerë pritet të hyjnë në ditët në vazhdim.
Pjesa më e madhe e tyre kanë si objektiv Austrinë dhe Gjermaninë.
Sigal