Kriza në Siri, Putin takohet me Assad: Kush të dojë, të na bashkohet për t’i dhënë fund

Teksa tensionet në Siri vijojnë të jenë të ndezura presidenti rus Vladimir Putin u takua me homologun e tij sirian, Bashar Assad në Soçi.

Sipas CNN, lideri i Kremlinit shprehet optimist për përfundimin e krizës. Putin përgëzoi Assadin për rezultatet në luftën kundër terrorizmit në një takim më 20 nëntor në Soçi, ku presidenti sirian u njoh me krerët e ushtrisë ruse.

Putin diskutoi me Assad për zgjidhjen politike në Siri, duke thënë se ai beson se duhet të jetë nën sundimin e OKB-së, duke shtuar se shpreson se trupi ndërkombëtar do të marrë një rol aktiv në këtë proces dhe në fazën përfundimtare.

Nga ana e tij Presidenti i Sirisë Assad tha se Damasku është i interesuar në përparimin e zgjidhjes politike të krizës dhe se situata aktuale është optimiste në këtë drejtim.

“Kushdo që është pro një zgjidhjeje politike në Siri, jemi gati të kemi dialog me ta”, tha Assad në takimin me Putin.