Kriza ne Maqedoni – SHBA thirrje Ivanov: Lejo formimin e qeverisë

445
Një ditë pasi Presidenti i Maqedonisë i kërkoi ndërkombëtarëve që të ndërhyjnë për zgjidhjen e krizës, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështjet e Europës dhe Euroazisë, Hojt Barjan Ji, ka delaruar se kreu i shtetit duhet të lejojë formimin e qeverisë nga deputetet dhe partitë që e kanë provuar se janë të afta t’a krijojnë kabinetin ekzekutiv.

Zyrtari i lartë i Shteteve të Bashkuara u prononcua gjatë një vizite në Zagreb, ku u shpreh ndër të tjera se Maqedonia ka nevojë që të ketë një qeveri sa më shpejt të jetë e mundur.

Hoyt Brian Yee – Ndihmës Sek. amerikan i Shtetit: “Ne sinqerisht shpresojmë që Presidenti i Maqedonisë të lejojë deputetët dhe partitë politike që kanë shprehur dëshirën dhe mundësinë për të formuar qeverinë. Shpresojmë që diçka e tillë të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, pasi vendi ka nevojë për një qeveri e cila do të vijojë dhe do të përfundojë procesin e nisur me Bashkimin Europian, në kuadër të përmbushjes së kushteve për t’u pranuar në këtë union.”

Më tej, Hojt Ji është prononcuar edhe për situatën në Ballkanin perëndimor, ku ka theksuar ndër të tjera se është mjaft e rëndësishme që shtetet e këtij rajoni, të vijojnë rrugën e reformave, si rruga e vetme për t’ju përafruar standarteve europiane. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të bëhet i mundur integrimi i mëtejshëm në organizmat euro-atlantike.

Deklarata e ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, vjen në një kohë kur rajoni i Ballkanit ka patur një sërë tensionesh, ku mund të përmendet ashpërsimi i toneve mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, por edhe bllokimi i formimit të qeverisë në Maqedoni, me argumentin se e ashtëquajtura platforma shqiptare, kërcënon sovranitetin e këtij vendi.
Sigal