Kriza në Maqedoni – Apeli i Ambasadorit amerikan: Të zgjidhet kryeparlamentari dhe qeveria

513
Ambasadori amerikan, Xhes Bejli dorëzoi porosi të fuqishme ndaj presidentit Ivanov që të zhbllokojë procesin e krijimit të qeverisë.

Veprimet e fundit që pengojnë zgjedhjen e kyreparlamentarit të ri janë gjithashtu në kundërshtim me parimet demokratike dhe kushtetutën, ishte i prerë diplomati amerikan.

Bejli kujtoi se vijimi i proceseve demokratike dhe zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës janë rruga e vetme që shpien vendin drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

“Mbetem në qëndrimin që e kemi thënë më parë, ne do ta inkurajonim Presidentin të ecte përpara, gjithashtu është e rëndësishme që edhe Kuvendi të lejojë që procesi të ecë përpara, se është e qartë se ajo fillon me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga deputetët e rinj. Po presim që vendi t’i përmbush të gjitha kushtet e Marrëveshjes së Përzhinos. Ka pasur zgjedhje të besueshme në dhjetor, kuvendi ka filluar punën, shumica parlamentare është formuar dhe mendojmë se nuk është në pajtueshmëri me parimet demokratike dhe Kushtetutën të mos lejohet procesi i formimi i qeverisë. Sigurisht, në fund kjo varet nga liderët politikë dhe në të vërtetë nga qytetarët e Maqedonisë ta lëvizin këtë përpara, por është kritike për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE, siç tha dje kryetari i Këshillit Evropian” – deklaroi Xhes Bejli, ambasador i SHBA-ve.

Edhe Aleanca e Atlantikut të Veriut pret respektimin e shumicës parlamentare. Kreu i Zyrës së NATO-s në Shkup gjithashtu tërhoqi vërejtjen për shmangien e retorikës nacionaliste dhe veprimeve që cenojnë marrëdhëniet ndëretnike.

“Është përgjegjësi e të gjithë liderëve politik ta respektojë rezultatin e zgjedhjeve, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje të shpejtë për zhbllokimin e procesit dhe shpejtë të formojnë një qeveri funksionale dhe efektive, të fokusuar në reformat urgjente prioritare, që do të punojë për të mirën e të gjithë qytetarëve. Aleanca dhe Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu iu bënë thirrje të gjitha partive t’i japin fund retorikës përçarëse dhe të shmangin veprimet që nxisin tensionet ndëretnike” – deklaroi Gorazd Bartol, kreu i zyrës së NATO-s në Shkup.

Përfaqësuesit ndërkombëtar përsëritën edhe një herë se Maqedonia duhet ti zgjidh vet problemet dhe përmbush kushtet e parashtruara nga BE dhe NATO në mënyrë që të mund të mbështetet tek to. 
Sigal