Kriza ekonomike, vendime dramatike në Greqi

583
Kryeministri i Greqisë Alexis Cipras mori disa vendime dramatike mbrëmjen e djeshme. Për gjendjen në Greqi kanë biseduar edhe presidenti Obama dhe kancelarja Merkel.
Kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras ka vendosur në Athinë, që që prej ditës së hënë të mbyllen të gjitha bankat në këtë vend. Në këtë mënyrë do të fusë nën kontroll qarkullimin e kapitalit, sepse shumë grekë kanë vërshuar në banka për të tërhequr kapitalin e tyre, nga frika e falimentimit financiar të shtetit. Pas vendimit të Bankes Qendrore Evropiane që të mos shtojë kreditë emergjente për Greqinë, qytetarët grekë janë shqetësuar edhe më shumë. Ky vendim e ka detyruar Bankën Kombëtare greke që të ndërmarrë këtë hap. Cipras u ka bërë thirrje bashkëqytetarëve ,që të ruajnë qetësinë. Ai pohon se paratë e tyre janë të sigurta
Java dramatike në bursa?
Në qarqet financiare është bërë e ditur se të hënën nuk do të hapet as bursa në Athinë. Vlerësohet se jo vetëm në Greqi, por edhe në tregjet e tjera financiare do të ketë lëvizje dramatike gjatë kësaj jave, për shkak të dështimit të negociatave mes Greqisë dhe kreditorëve. Me humbje pritet të nisë javën edhe bursa në Gjermani, por nuk pritet ndonjë gjendje dramatike si në kohën e shpërthimit të krizës në vitin 2008. Sidoqoftë, qeveria greke po përpiqet që me mbylljen e bankave dhe kontrollin financiar të ndalojë nxjerrjen e kapitalit dhe largimin e tij nga vendi. Pritet që të kufizohet edhe sasia e parave që mund të nxirren nga bankomatet. Nxjerrja e shpejtë e parave dhe transferimi në vendet e sigurta, do të përshpejtonte kolapsin e sistemit financiar. Për të kontrolluar sa më mirë rrjedhat financiare, pritet që Greqia të forcojë edhe kontrollin e kufijve të jashtëm.
Obama-Merkel për Greqinë
Lidhur me gjendjen në Greqi kanë biseduar me telefon presidenti amerikan Barack Obama dhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Nga Shtëpia e Bardhë kumtohet se të dy ata mendojnë se “është shumë me rëndësi që Greqia të kthehet në rrugën e reformave dhe të ruhet stabiliteti në Eurozonë”. Kancelarja Merkel nuk është deklaruar për opinion, por kriza në Greqi ka vënë në gjendje alarmi edhe politikanët në Berlin. Kancelarja Merkel ka caktuar për nesër një takim të jashtëzakonshëm të kabinetit qeveritar, kushtuar gjendjes në Greqi dhe posojave të mundshme. E Majta dhe ekologjistët kanë kërkuar prej kancelares që të ndërhyjë në këtë situatë. Ndërsa zëvendëskancelari dhe Ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel ka premtuar ndihma humanitare për grekët, në qoftë se Greqia vërtetë shpall falimentimin. Gabriel theksoi se partnerët evropianë i kanë bërë oferta Greqisë, “të cilat nuk janë bërë kurrë më parë”, ndaj do të ishte “marrëzi”, në qoftë se Cipras nuk i pranon ato. Edhe minstri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i ka quajtur plotësisht të pakuptueshme vendimet e fundit të qeverisë greke.
DW
Sigal