Kriza e emigrantëve, Gjermania rikthen kontrollet kufitare me fqinjët

446
Fluksi i madh i refugjateve detyron Gjermaninë të rikthejë kontrollet në kufijtë me vendet e zonës Shengen. Vendimi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm gjerman, sipas të cilit kontrolli kufitar do të jetë i përkohshëm dhe do të përqendrohet kryesisht në kufirin me Austrinë, aty ku javët e fundit me mijëra refugjatë të ardhur kryesisht nga vendet e luftës kanë kaluar për të kërkuar qëndrim në vendet e kontinentit të vjetër.
Autoritetet gjermane thane se një vendim i tillë është i nevojshëm për arsye sigurie dhe kërkohet edhe në kodin e kufijve te zonës Shengen. Kjo masë do të rikthejë kontrollet e rrepta në pikat kufitare që deri më sot pothuajse kanë qenë inekzistente e më tepër kanë qenë në funksion procedural se sa kontrollues apo frenues. 
Gjermania do të vazhdojë të respektojë rregullat e aplikueshme evropiane dhe kombëtare për mbrojtjen e refugjatëve. Në deklaratën e tij ministri De Maizzer thekson se sipas ligjit në fuqi evropiane, Gjermania nuk është përgjegjës për shumicën e madhe e atyre që kërkojnë mbrojtje.
Sipas tij azilkërkuesit duhet të pranojnë faktin se ata nuk mund të zgjedhin që nje vend anëtar i BE t’u japë mbrojtje. “E njëjta gjë do të zbatohet kur sistemi i ri evropian për shpërndarjen e refugjatëve të hyje ne fuqi.”- është shprehur De Maizzer.
Synimi i këtij vendimi është që të ulë ndjeshëm fluksin e refugjatëve që vijnë nga vendet në krizë si Siria, por edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria. 
Sipas shifrave zyrtare të dhëna një ditë më parë nga Bashkimi Europian, vetëm në 8 muajt e parë të këtij viti, në vendet e zonës Shengen kanë hyrë mbi 500 mijë refugjatë, 156 mijë prej të cilëve vetëm gjatë muajit gusht.
Prej ditësh, Gjermania dhe ne veçanti Mynihu ka dhënë alarmin për mungesën e kapaciteteve për përballimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve, të cilët vijnë jo vetëm nga vendet e luftës nëpërmjet Mesdheut, por edhe nga Ballkani e kryesisht nga Shqipëria. 
Sigal