Kriza e emigrantëve, BE rrit kuotën, kërkon nga shtetet të pranojnë 40.000 azilkërkues

447
Komisioni Europian i ka bërë thirrje shteteve anëtare që të strehojnë 40 000 azilkërkues shtesë nga Siria dhe Eritrea, të cilët parashikohet të mbërrijnë në Itali dhe Greqi për dy vitet e ardhshme.
Sipas planit të propozuar, Gjermania, Franca dhe Spanja do të marrin numrin më të madh të emigrantëve.
Eurokomisioneri për Migracionin, Dimitris Avramopulos, i bëri thirrje vendeve që e kanë kundërshtuar idenë fillestare për të strehuar 20 000 emigrantë, se ky është momenti që fjala “solidaritet” të mos përdoret vetëm si slogan, por të vihet në zbatim.
Avramopulos: “Nuk kemi bërë asnjë propozim për të detyruar zhvendosjen e emigrantëve të paligjshëm nëpër Europë. Ne nuk vendosim kuota fikse, kjo është në dorë të shteteve. Por duhet të ndajmë përgjegjësitë dhe të bëhemi më praktikë kur vjen puna te solidariteti”.
Plani i ri është i zbatueshëm vetëm për emigrantët kanë mbërritur në Greqi dhe Itali pas 15 prillit të këtij viti dhe mund të përfshihen edhe ata që mbërrijnë në Maltë nëse ishulli mesdhetar përballet me fluks të papritur.
Sipas planit, Gjermania do të marrë rreth 22% të emigrantëve, Franca 17% dhe Spanja rreth 11%, ndërsa për secilin person të strehuar, shtetet do të marrin nga 6000 Euro si ndihmë financiare.
Përveç Mbretërisë së Bashkuar, edhe Franca me Spanjën kanë shprehur shqetësim për këtë nismë, ndërsa Hungaria, Sllovakia dhe Estonia janë kundër.
Gjithsesi, propozimi pritet të miratohet përfundimisht nga qeveritë e shteteve anëtare pasi të votohet nga deputetët në Parlamentin Europian.
Sigal