Krim i organizuar, arrestohen disa zyrtarë të Komunës së Prishtinës

441
Sigal

PRISHTINE – Mëngjesin e sotëm janë arrestuar 10 zyrtarë komunalë të Prishtinës. Në mesin e tyre ndodhet shefi i sektorit të ndërtimit, një zyrtar për ekzekutim, dhe 8 inspektorë për ndërtim, si dhe pronarin e një kompanie private të ndërtimit. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës, sipas të cilës me urdhër të prokurorit vendor Policia e Kosovës ka arrestuar 10 zyrtarë nga Sektori i ndërtimit i Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, prej tyre, shefin e sektorit, një zyrtar për ekzekutim, dhe 8 inspektorë për ndërtim, si dhe pronarin e një kompanie private të ndërtimit. Për dhjetë zyrtarët e arrestuar nga Komuna e Prishtinës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë kryer veprën penale, “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal”, “keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”. Ndërkaq, për të arrestuarin e njëmbëdhjetë, (pronari i një kompanie private), ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. Prokurori i rastit, për të pandehurit, ka urdhëruar ndalimin policor në kohëzgjatje prej 48 orësh. Arrestimi i sotëm është rezultat i hetimit paraprak, që është zhvilluar nga shtatori i vitit 2013, lidhur me ndërtimin e objekteve pa leje ndërtimore, në Komunën e Prishtinës. Gjatë kësaj kohe janë siguruar prova të rëndësishme për dyshimin e bazuar se personat e arrestuar kanë kryer veprat penale të përmendura më lart.