Krerët e BE-së diskutojnë për Brexit, Sirinë, Rusinë

85

Udhëheqësit e Bashkimit
Evropian po takohen në Bruksel në mbyllje të një viti të trazuar për grupimin
28 anëtarësh, i cili përballet me pikëpyetje rreth integritetit dhe të ardhmes
së tij.

Ndër sfidat kryesore që po
trajtohen në takim janë çështjet nëse do të vazhdojnë sanksionet kundër Rusisë
për Ukrainën, kriza e emigrantëve në Evropë dhe vendimi i Britanisë qershorin e
kaluar për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministrja britanike, Theresa
May do të largohet nga mbledhja më herët se krerët e 27 vendeve të tjera
anëtare, të cilët do të takohen për darkë dhe për një diskutim jozyrtar rreth
pikëpamjeve të tyre mbi shkëputjen britanike.

Mospjesëmarrja e zonjës May në
darkë është një nga shenjat e para të dukshme të realitetit se Britania,
ekonomia e dytë më e madhe e BE-së, së shpejti nuk do të jetë më pjesë e
bllokut.

Në një deklaratë, zëdhënësi i
zonjës May nuk i vuri rëndësi asaj që disa vëzhgues e interpretojnë si qëndrim
mospërfillës ndaj udhëheqëses britanike.

“Fakti se ky është është një takim i 27 vendeve
pasqyron realitetin se ne po largohemi nga Bashkimi Evropian,”
 tha zëdhënësi.

Lidhur me Rusinë, në takim nuk
priten surpriza. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez
François Hollande në fillim të javës thanë se do të mbështesnin zgjerimin e
sanksioneve për çështjen e Ukrainës. Deklarata e tyre u bë pavarësisht trysnisë
në rritje nga investitorët dhe grupet e energjisë në Evropë, duke përfshirë
edhe ata brenda vetë Gjermanisë, që sanksionet të zbuten.

Analistët thonë se mungesa e
entuziazmit për vazhdimin e masave që ndëshkojnë Rusinë është nxitur nga
gatishmëria që ka shprehur presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump për
të punuar ngushtë me Rusinë për zgjidhjen e konflikteve dhe luftuar
terrorizmin.

Bashkimi Evropian e ka dënuar
fuqimisht ofensivë e qeverisë siriane në disa pjesë të Aleppo, sulm që ka
mbështetjen e Rusisë.

“Ne po punojmë ditë e natë, pa ekzagjerim, për të
garantuar mbrojtjen e civilëve në radhë të parë në të gjithë Aleppon lindore.
Për ne, ajo që po ndodh aktualisht me civilët është krejtësisht e papranueshme
dhe përparësia jonë është: Mbrojtja e civilëve e përsëri mbrojtja e civilëve.
Ne po mbështesim shpërndarjen e ndihmës humanitare për të cilën po bëhen
përpjekje,”
 tha
Federica Mogherini, shefe e politikës së jashtme të BE-së.

Analistët thanë se nuk ka gjasa
të shpallen sanksione të reja kundër Moskës për rolin e saj në Siri.

Një çështje tjetër në këtë takim
është qëndrimi i Holandës lidhur me Ukrainën.


muajin prill votuesit holandezë hodhën poshtë një marrëveshje mes BE-së dhe
Ukrainës për të forcuar lidhjet politike dhe ekonomike mes Brukselit dhe
Kievit, marrëveshje që shumë analistë e interpretojnë si një hap të parë drejt
anëtarësimit në Bashkimin Evropian.