Kremtohet lindja e Krishtit, Papa uron në gjuhën shqipe

491
Sigal

Mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë në vendin tonë festuan dje Krishtlindjen, festën më të madhe dhe më të rëndësishme të krishterimit. Lindja e Jezu Krishtit kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore. Meshat kanë nisur në mesnatë në mjaft qytete të vendit, ku besimtarët e krishterë i janë bashkuar festës së madhe, kremtimit të lindjes së Krishtit. Me qirinj në duar dhe duke u lutur për paqe dhe qetësi, dashuri dhe gëzim besimtarët kanë kryer ritet fetare, në një atmosferë festive. Ceremonia kryesore u zhvillu në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku kanë qenë të pranishëm krahas qytetarëve të shumtë edhe personalitete të lartë të politikës, kulturës dhe artit. Imzot Rrok Mirdita drejtoi meshën duke u uruar të pranishmëve e besimtarëve shumë dashuri dhe paqe. Mesha nisi me këndimin e liturgjive, pjesë nga Bibla. Ndërsa në të gdhirë të mëngjesit të ditës së djeshme, besimtarët ortodoksë kanë nisur meshën e drejtuar nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Besimtarët ortodoks janë lutur në emër të Krishtit. Edhe gjatë ditës janë zhvilluar të tjera ceremoni festive, ndërsa krerët e shtetit dhe të politikës kanë zhvilluar vizita në Katedralen e Shën Palit dhe në Kishën Ortodokse për të përcjellë urimet e tyre për të gjithë besimtarët katolikë dhe ortodoksë. Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Sipas Biblës, Jezusi lindi nga Maria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August. Lindja e Jezu Krishtit kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore. Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura. Darka e Krishtlindjeve paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës.

Papa Venedikti i 16-të ka uruar nga Vatikani besimtarët katolikë në të gjithë botën për festën e Krishtëlindjeve. Papa ka përsëritur urimin në 65 gjuhë të ndryshme, ku mes të tjerash, edhe në shqip: “ Gëzuar për shumë vjet Krishtëlindjet:.