Kosovë, VV: Policia po rreh protestuesit nga Tirana. Drejtori i Kufirit e mohon

492
Do të mbahet sot në Prishtinë protesta e paralajmëruar prej javësh nga tri partitë opozitare për anulimin e marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi, si dhe për të kërkuar llogaridhënie nga ata që opozita konsideron ta kenë shkelur Kushtetutën e Kosovës.
Tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, disa herë radhazi, nëpërmjet konferencave për shtyp, prononcimeve për mediat e intervistave, kanë paralajmëruar se 9 janari shënon fillimin e një serie protestash deri në rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
Opozita e bashkuar e ka përsëritur vazhdimisht mungesën e legjitimitetit të koalicionit qeverisës pas vendimit të Kushtetueses në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë. Marshi protestues i partive opozitare nis nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00. Ndërkohë në Kosovë kanë shkuar edhe protestues nga Tirana.
Drejtori i kufirit në Morinë: Nuk ka pasur dhunë, kanë kaluar 2 autobusë
Pas denoncimit të Vetëvendosjes se janë dhunuar në kufi protestuesit nga Tirana ka reaguar Drejtori i Kufirit në Morinë, Ndue Ndoj. Ai ka mohuar se ka pasur dhunë, duke u shprehur se ka pasur raste kthimi për mungesë dokumenti.
“Nuk është e vërtetë se është ushtruar dhunë. Ka pasur raste kthimi për mungesë dokumenti. Në kufi kanë kaluar dy autobusë me protestues”, ka thënë Ndoj.

Liburn Aliu: Policia po i rreh protestuesit nga Tirana
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu, ka thënë se policia e Kosovës është duke i rrahur protestuesit që po vijnë nga Tirana. “Në pikën kufitare Morinë, policia i ka ndaluar dhe po i rreh protestuesit nga Tirana”, ka shkruar Aliu në një postim në Facebook.

Policia e Kosovës: Përmbahuni nga veprimet e dhunshme
Policia Kosovës tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe ka vënë në funksion planin operativ, për ruajtjen e sigurisë publike, me rastin e protestës së thirrur nga partitë opozitare, që pritet të mbahet sot.
Në rrugët e Prishtinës tashmë janë të dukshme forcat e shtuara të Policisë së Kosovës, të cilat patrullojnë nëpër qytet.
Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës, është pjesë planit operativ të Policisë së Kosovës, me rastin e protestës së paralajmëruar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se qëllimi strategjik i planit operativ të policisë është siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatimi i ligjit.
Ai thekson se Policia e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike dhe njëkohësisht duke e njohur të drejtën kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve për të protestuar.
“Policia e Kosovës siguron opinionin e gjerë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë dhe mbarëvajtjen e qetë dhe pa incidente të kësaj proteste. PK-ja njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, deklaron Kelani për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët që dalin në protestë, që të protestojnë pa i shkelur ligjet.
“Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe te zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për rend dhe siguri publike”, shton Kelani.

AAK: policia po i pengon protestuesit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë e Ramush Haradinaj ka deklaruar se policia po pengon protestuesit të mblidhen. Në një deklaratë, AAK thotë se Policia e Kosovës, ka filluar t’i ndalojë qytetarët që janë nisur për protestë pa asnjë arsye.
“Ata kanë ndaluar kolonën me makina e autobusë në udhëkryqin e Klinës, gjoja për të legjitimuar qytetarët. I bëjmë thirrje policisë së Kosovës që të mos ndërhyjë me arsyetime banale, dhe të lejojë qytetarët që të qarkullojnë të lirë dhe të mbërrijnë në protestë, sepse kjo është e drejtë e garantuar me ligj, dhe policia nuk mund ta shkelë atë. Është moment i ndjeshëm dhe policia duhet t’i kontribuojë mbarëvajtjes së protestës”, deklaron AAK.
Sigal